Qeveria Kurti e dështuar në diplomaci | Kosova pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, Serbia me pesë kontrata aktive në Uashington

Kosova aktualisht nuk ka asnjë kontratë lobimi aktive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Serbia vazhdon të forcojë prezencën e saj në Uashington.

Që nga viti 1992, vendi i vogël ballkanik ka pasur pothuajse vazhdimisht kompani lobimi, të kontraktuara për të shtyrë përpara agjendën dhe interesat e kosovarëve në SHBA.

Por për momentin, në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë nuk figuron asnjë kontratë e lobuesve. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës i ka pasur dy marrëveshje lobimi në Uashington, por ato tani kanë skaduar, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

“Për dallim nga kontratat e së kaluarës me kompani të njohura lobimi, këtë herë MPJD-ja kishte angazhuar dy shqiptarë që shumicën e shpenzimeve i kishin deklaruar për dreka e darka punë dhe udhëtime. Në të njëjtën kohë, institucionet e Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA”, thuhet ndër të tjera në reportazhin e REL-it.

Kosova mbeti pa asnjë kontratë lobimi pak pas rikthimit të presidentit republikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. E pavarësisht skandimit të kontratave të lobimit, ende nuk ka asnjë sinjal nga diplomacia e Kosovës nëse do të angazhojë lobistë të rinj.

Kosova ka gëzuar mbështetjen e secilës administratë amerikane, përgjatë dekadave, pavarësisht kush ka qenë banor i Shtëpisë së Bardhë. Por, marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit kanë përjetuar një valë sizmike tensionesh dhe mosmarrëveshjesh vitet e fundit, të cilat kanë filluar pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet në Kosovë.