Qeveria e Republikës së Kosovës po bënë përpjekje që ta gjej një “arsye” të fortë, pas të ciliës do të kërkonte nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta mbështesnin marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, shkruan sot Koha Ditore.
Prandaj, qeveria ka kërkuar edhe ndihmën e Podgoricës zyrtare, kanë thënë burime të gazetës.
Gjatë mandatit të shkuar sa ishte në opozitë, Haradinaj i ka prirë kauzës kundër kësaj marrëveshjeje, pasi konsideronte se me të Kosova humb rreth 8 mijë hektarë. Pak kohë pasi është vu në krye të Ekzekutivit, Qeveria e ka proceduar për ratifikim në Kuvend këtë dokument, ani se kreu i saj ka vazhduar të deklarojë se deputetët duhet ta rrëzojnë. Por, tash do një “momentum të ri”, para se Projektligji të vihet në votim.
“Situata e re krijohet në rast se kryeministrat e të dyja vendeve dalin me deklaratë të përbashkët, me të cilën zotohen se Marrëveshja për kufirin do të rishqyrtohet kurdo që dalin fakte të reja ligjore. Duket që ka gatishmëri edhe në Podgoricë për të gjetur një zgjidhje të kësaj natyre. Ka pasur komunikime edhe në nivel ministrash, që e kanë trajtuar këtë temë dhe ka optimizëm”, ka thënë një burim në Qeveri. “Në rast se ka një akordim për tekstin e deklaratës, besoj që nuk do të ketë problem që Marrëveshja të kalojë në Kuvend”.