Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shpallë gjendje krize me kohëzgjatje 30-ditore në mbarë vendin për shkak të rritjes së rasteve të zjarreve, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, duke njoftuar në një konferencë për media se vendimi është marrë në bazë të seancës së sotme të Komitetit Drejtues për Koordinim dhe Menaxhim të Sistemit të Krizave.
“Kjo mundëson një qasje të integruar dhe veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve kompetente – ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe pushteteve lokale. Të gjitha burimet, duke përfshirë ato njerëzore, teknike dhe logjistike, do të mobilizohen për t’u përballur me zjarret dhe për të mbrojtur popullsinë”, tha Miteva.
Qeveria do të ofrojë ndihmë urgjente dhe në kohë për të gjitha zonat e prekura me qëllim parandalimin e pasojave më të mëdha, tha Miteva duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë të gjitha rekomandimet dhe ndalimet.
Në fund të muajit të kaluar qeveria njoftoi se hyrja në pyje është e ndaluar midis 1 korrikut dhe 31 gushtit.
Duke marrë parasysh mundësinë e një rreziku në rritje të zjarreve pyjore në zona të hapura gjatë muajve të verës, ata që nuk i përmbahen këtij vendimi, i cili u mor për të parandaluar zjarret, do të gjobiten midis 1.500 dhe 2.000 eurove.
Rreziku i zjarreve në pyje në vend është i lartë dhe qytetarët paralajmërohen të jenë të kujdesshëm.
The post Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall gjendje krize 30-ditore për shkak të zjarreve appeared first on Kosovapost.net.