Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet se e arrestuara nga autoritetet kroate nën dyshimet për spiunazh për Serbinë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale nga Zyra e Kryeministrit, transmeton KosovaPost.
“Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar. Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai tutje ka shkruar se viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit. “Dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë”, ka shkruar zëdhënësi e ekzekutivit në Facebook.
Ai ka treguar për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim me ato të Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.
“Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”, ka shtuar ai.
The post Qeveria e Kosovës mohon lidhjen me spiunen serbe: Qasja në informacione konfidenciale është strikt e kufizuar appeared first on Kosovapost.net.