Qeveri me zëvendëskryeministër me aktakuzë

Fikrim Damka nga Kosova Demokratik Turk Partisi është zëvendëskryeministri i tretë për çështje të pakicave në qeverinë e re të prirë nga Albin Kurti. Në mandatin e kaluar, Damka ka qenë ministër i Zhvillimit Rajonal.

Ndaj Damkës aktualisht ka aktakuzë të ngritur për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Damka dhe Besim Kamberaj akuzohen se gjatë periudhës 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.  Në bazë të hetimeve, dyshohet se me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro.

Partia e tij në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka marrë dy ulëse, një prej tyre ishte vetë Damka, mirëpo pas rinumërimit, ai e ka humbur mandatin e deputetit.

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se Damka gjithsesi duhet të intervistohet në rastin ku dyshohet se ka pasur manipulime të votave.

“Me siguri që po [që duhet të intervistohet]”, ka thënë Pula.

“Gjithsesi. Unë sa e di, e kemi vetëm një rast që një deputet e ka humbur mandatin, edhe është ky deputet [Fikrim Damka]. Nuk e kam vërejtur që ka mandate të humbura për deputetë të tjerë, pavarësisht tendencave që t’iu rrisin numrin e votave me qindra a mijëra, prapë nuk kanë arritur kuotën e saktë nga vendi prej nga vijnë për me u ba deputetë”.

“Prandaj, është i vetmi ky kandidat që e ka humbur mandatin e deputetit dhe pa mëdyshje që duhet të intervistohet”, ka thënë ditë më parë Pula në Klan Kosova.

“Të jemi të qartë, kjo është çështje ekskluzive e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse për ta vazhdu hetimin deri në fund”.