Qeveri e ish-opozitës, Hamza: Kam tentuar, por s’ka pasur vullnet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka folur në lidhje me mundësinë e krijimit të qeverisë nga ish-opozita.

Hamza tregoi se ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë, por sipas tij, nuk ka pasur vullnet.

“Unë kam tentuar, jam takuar me kryetarët e partive që kemi qenë në opozitë, kam qenë i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe kam qenë i gatshëm të hy në biseda për ta bërë qeverinë, pa paragjykuar shumë specifika, formatin e qeverisë, ndarjen e ministrive, ndarjen e posteve, të gjitha”, tha ai në Klan Kosova.

Hamza gjithashtu u shpreh se ka qenë e rëndësishme që të fillohen bisedat për këtë punë, por siç tha, nuk kanë arritur marrëveshje.

“Më rëndësi ka qenë të fillohen bisedat për këtë punë, mirëpo nuk ka pasur një vullnet, ka pasur një vlerësim çfare ka pasur dhe sigurisht se edhe për këtë punë e kemi paguar një kosto. Po i bie që nuk kemi arritur të kemi marrëveshje për ta krijuar qeverinë”, tha kreu i PDK-së.