Qerkini: Dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit kanë kredibilitet shumë të lartë

Por, shtatë dëshmitarët që u ftuan nga mbrojtja ishin të gjithë të huaj, përfaqësues të organizatave e institucioneve ndërkombëtare që në kohën e luftës ishin në terren e në kontakt me të akuzuarit, por edhe patën pozita të rëndësishme në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. 

Dëshmitari i parë ishte James Rubin, këshilltar i lartë i sekretares amerikane Madeline Albright dhe zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë luftës në Kosovë. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, pastaj John Duncan, këshilltar i Wesley Clarkut, dhe James Covey, zëvendësshef i misionit të UNMIK-ut. Christopher Hill, ish-përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Kosovë gjatë luftës, ishte dëshmitari i pestë, dhe dy të fundit ishin Michael Durkee, këshilltar për çështje ndërkombëtare i Wesley Clarkut – dëshmitar i fundit i mbrojtjes, që gjatë luftës mbante pozitën e ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s për Evropë.

Për avokatin Artan Qerkini, ky profil i dëshmitarëve tregon strategjinë e mbrojtjes që ata të ofrojnë edhe ekspertizë, për t’iu kundërvënë akuzave, shkruan Koha.

“Janë thirrur dëshmitarë me kredibilitet shumë të lartë si njerëzor, profesional, po ashtu edhe kanë qenë kredibil edhe për shkak të peshave të pozitave të tyre që ata i kanë mbajtur në kohën e luftës dhe ta zëmë është dëgjuar dëshmitar edhe zoti Wesley Clark. Ai nuk ka shërbyer vetëm si dëshmitar, po edhe si ekspert i çështjeve ushtarake, sepse një gjenerali të Forcave Ajrore të NATO-s nuk mund t’i thuash se nuk është ekspert i çështjeve ushtarake”, ka thënë Qerkini.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në Hagë, më 15 shtator, ish-zëdhënësi i DASH-it, James Rubin, ka deklaruar se nuk ka pasur kurrë informata për përfshirjen e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në krime lufte.

Dëshmitari i parë i propozuar nga mbrojtja ka thënë se nëse do të merrte informata të tilla, mbështetja amerikane për Ushtrinë Çlirimtare dhe shqiptarët do të tërhiqej.

Ai tek ka dëshmuar për rolin e Thaçit gjatë Konferencës së Rambujesë dhe gjatë procesit të çarmatosjes së UÇK-së, ka deklaruar se ai ishte fytyra e gueriles, por vendimet merreshin në grup.

“Ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare siç ishte asokohe. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra diku e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhej ta merrte lejen prej tyre”, ka thënë Rubin.

E ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, në dëshminë e tij të dhënë më 17 nëntor ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e forcë e vetorganizuar dhe përbëhej prej grupeve lokale të armatosura të shqiptarëve, krijimi i të cilave është nxitur nga rritja e represionit të Serbisë.

“Nuk kishte shumë informacion, s’kishte shumë gjëra për të folur sa i takon komandës (së UÇK-së në verë dhe vjeshtë të 98-s v.j.). Me sa dinim ne, bëhej fjalë për grupe lokale të cilat ishin formuar pak a shumë në mënyrë spontane në përgjigje ndaj shtypjes serbe prej shumë e shumë vjetësh”, ka thënë Clark.

Për avokatin Qerkini, dëshmia e Rubinit, Clarkut dhe dëshmitarëve të tjerë ilustron strategjinë e mbrojtjes: ajo nuk synonte të kontestonte çdo pretendim të aktakuzës, por të sfidonte veçanërisht pretendimin e prokurorisë se të akuzuarit dinin dhe duhej të dinin për krimet e pretenduara, si dhe se kishin kompetenca dhe përgjegjësi për to.

“Qëllimi i mbrojtjes ka qenë që të rrëzohen pikat e aktakuzës në lidhje me përgjegjësinë penale. Pra mbrojtja asnjëherë nuk ka pretenduar se nuk kanë ndodhur disa krime, por mbrojtja ka kundërshtuar gjithmonë përgjegjësinë penale dhe prokuroria ka pretenduar se forma e përgjegjësisë penale është ndërmarrja e përbashkët kriminale dhe përgjegjësia komanduese”, ka thënë Qerkini.