Qëndresa Gërlica është kandidate për deputete nga Partia Socialiste në Parlamentin e Brukselit.
Ajo u lind më 20 maj të vitit 1992, në Prishtinë, ndërsa u largua nga Kosova në vitin 1994 dhe tani jeton në Belgjikë.
Gërlica ka treguar arsyet e shpërnguljes së familjes së saj nga Kosova.
“Në vitin 1989, Millosheviqi hoqi me dhunë autonominë e Kosovës dhe kompetencat e autoriteteve të Kosovës; ndërsa në vitin 1990 u mbyllën të gjitha objektet arsimore shqiptare në Kosovë”.
“Në atë periudhë, babai im, Bashkimi ishte shumë aktiv në rezistencën Kosovare, duke marrë pjesë në shumë protesta dhe në çeljen e objekteve shkollore ilegale. Ky investim kishte rënë në sy të forcave serbe në Kosovë të cilat vendosën ta dënonin babin me qëllim që të ndalonin aktivitetin e tij. Kësisoj, pasi policia erdhi disa herë tek dera e shtëpisë, ai u detyrua të largohet nga Prishtina dhe pas pak kohe u bashkuam dhe unë me mamanë me të”, ka deklaruar Gërlica për lajmi.net.
Motivi për t’u përfshirë në politikë, ajo ka thënë se i ka ardhur nga e kaluara dhe rrethi në të cilin jeton dhe vepron.
“Qysh në moshën më të re kam filluar të angazhohem në organizata të ndryshme, si Parlamenti Evropian Rinor dhe Këshilli i Rinisë të Belgjikës në të cilin kam qenë nënkryetare. Këto me qëllim që të bëhem zëri i atyre që nuk flasin, që të tregoj për padrejtësitë dhe të luftoj për një shoqëri gjithëpërfshirëse në vendin ku jetoj. Megjithatë, prania apo veprimi im në një shtet tjetër nuk më largon apo më mban anash nga angazhimi për krijimin e ideve dhe projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin e tyre. Përfshirja ime në politikë gjatë zgjedhjeve të fundit lokale ishte falë propozimit të deputetit të nderuar zotit Ahmet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar në Belgjikë dhe që vepron për vite me rradhë për një përfaqësim të denjë të komunitetit tonë. Me shumë kënaqësi u bëra pjesë e “Kombëtares së zgjedhjeve” me të cilën bëmë një fushatë të bashkuar dhe dinamike në 11 komuna të Brukselit”, ka thënë Gërlica.
Tutje, ajo ka treguar se ka qenë kandidatja më e re për Asamblenë komunale të kryeqendrës administrative të Belgjikës dhe të BE-së, ku ka thënë se ndjehet shumë mirënjohëse kur mësoi se ishin 695 persona që ia besuan votën.
Falë aktiviteteve të shumta në organizatat belge dhe mbështetjen e fuqishme të zotit Ahmet Gjanaj, Gërlica ia doli të bëhej pjesë e zgjedhjeve të fundit dhe të fitoj besimin e personaliteteve të tjera në parti.
“Për një vajzë dhe grua jeta politike është e vështirë dhe sfiduese; megjithatë, besoj fort se duhet ndryshuar tendenca dhe të kemi më shumë përfaqësim të gruas në politikë, për të mbrojtur interesat e tyre dhe të tjerëve ; kjo dhe sepse besoj se gratë kanë pikëpamje progresive mbi botën dhe zhvillimet e saj. Ndihem shumë krenare si vajzë shqiptare dhe kam dëshirë që ne të angazhohemi akoma më shumë; kështu do të kemi më shumë suksese, sepse Historia ka shumë dëshmi të bujarisë dhe forcës së nënave dhe motrave tona dhe në kohërat më të vështira”.
Arsyet që Qëndresa ka vendosur të kandidojë, thotë se janë problemet që shumë të rinj përballen dhe kanë nevojën për mbështetje.
“Ajo se çfarë do të përfitojnë nga unë nëse do të zgjidhem në Parlamentin e Brukselit është bashkëpunimi dhe kontributi shumë i sinqertë për komunitetin tim dhe me gjerë ; kam vendosur të kandidoj pikërisht se kemi shumë probleme dhe se shumë të rinj e të reja kanë nevojë për mbështetje; ndaj vota e tyre do të shkojë te një njeri i sinqertë dhe shumë bashkëpunues me ta. Mendoj që nëse do të më votojnë, atëherë shumë projekte dhe kauza të të rinjve apo komunitetit do të nxiten e promovohen deri në realizimin e tyre. Gjithashtu, kam dëshirë që përvojën time ta shfrytëzoj brenda Parlamentit të Brukselit, për të mundësuar krijimin e më shumë vende pune për ata që dëshirojnë të angazhohen, si psh me investime masive në organizatat rinore. Po ashtu, një kujdes më të madh për të gjithë personat në nevojë që ata të kenë një vendbanim të denjë dhe që fëmijët e tyre të kenë shanse të barabarta për t’u arsimuar dhe integruar në shoqëri. Kjo do të realizohet dhe me zhvillimin e mësimeve shtesë për nxënësit në nevojë në të gjitha shkollat e Brukselit”.
Përpos saj, janë edhe disa shqiptarë që kërkojnë të bashkojnë zërin në Belgjikë; Ahmet Gjanaj, Luiza Duraki, Habibe Duraki, Avni Gjanaj dhe Fatmir Limani që kandidojnë në tre nivele si dhe Nermin Kumanova në një rajon tjetër.
Zgjedhjet në Bruksel pritet të mbahen më 26 maj.