Qe qysh i zuri shkenca sulmuesit e Ibër-Lepencit: FBI-ja dhe “lloçi i çizmeve”, ADN-ja te fitili 9 metra

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin terrorist mbi kanalin e Ibër-Lepencit, duke i ngarkuar ata për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga gazeta Nacionale, të akuzuarit janë Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq. Ata akuzohen se përmes vendosjes së eksplozivit, dëmtuan rëndë infrastrukturën kritike që furnizon me ujë qytetarët dhe Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke shkaktuar një dëm prej 376 mijë eurosh.

Provat shkencore: FBI dhe ADN-ja konfirmojnë përfshirjen

Një nga pikat më të forta të aktakuzës bazohet në prova të të forta shkencore nga ekspertë ndërkombëtarë.

Raporti i FBI-së: Ekspertimi gjeologjik ka zbuluar se dheu i gjetur në çizmet e vëllezërve Viçentijeviq përputhet plotësisht me mostrat e dheut në vendin e ngjarjes. Aktakuza thekson se “nuk ka dallueshmëri për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist.”

“…nga të cilat mostra qartazi vërtetohet se në mes DHEUT të marr nga çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviç dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër Lepenc” nuk ka dhallueshmëri për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandeurit kanë kryer aktin terrorist.” – thuhet në aktakuzë.

ADN-ja në fitilin ndezës: Ekspertët vendorë dhe policia shkencore italiane në Romë kanë gjetur përputhshmëri të plotë të ADN-së së të akuzuarit Jovan Viçentijeviq në një fitil ndezës prej 9.2 metrash, i gjetur në vendngjarje.

Nga 24 lokuse të analizuara, 20 prej tyre përputheshin plotësisht me profilin e tij, duke ofruar “përkrahje jashtëzakonisht të fortë statistikore” për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë.

“Sipas Rezultatit të përfituar të AFK-së dhe interpretimit të bërë të miksturës nga kolegët italianë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, Sektori i Policisë Shkencore në Romë, duke aplikuar metoda të avancuara shkencore, mund të konstatojmë se i pandehuri Jovan Vijentijeviq ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me dëshminë Nr.4 të përshkruar si më lartë, pra me një fitil ndezës 9.2 metra të gjatë, i gjetur në vendin e ngjarjes dhe menjëherë pas sulmit terrorist”, thuhet në aktakuzën që ka lexuar Nacionale.

Sipas Prokurorisë, sulmi ndodhi më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Të pandehurit, në bashkëpunim me persona të tjerë, vendosën një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ushtarak brenda kanalit, duke përdorur një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni.

Qëllimi i këtij akti, sipas aktakuzës, ishte “frikësimi serioz i popullsisë dhe rrezikimi i rendit kushtetues”. Shpërthimi shkaktoi ndërprerjen e ujit për KEK-un, duke rrezikuar seriozisht prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

Përveç terrorizmit, Jovan Viçentijeviq akuzohet edhe për spiunazh. Sipas aktakuzës, ai vepronte si rekrut i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel.

Aktiviteti i tij përfshinte:

  • Mbledhjen e informacioneve dhe dokumenteve të klasifikuara (përfshirë një dokument konfidencial 66-faqësh);
  • Vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it dhe fotografimin e bazës së Njësisë Speciale në Jasenovik.
  • Krijimin e narrativave të rreme: Ai tentoi të trillonte ekzistencën e një organizate fiktive shqiptare (“Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare”) dhe ta lidhte atë me eprorë të UÇK-së, me qëllim njollosjen e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.

Ekzaminimi i pajisjeve elektronike ka zbuluar lidhje direkte të Jovan Viçentijeviqit me grupin e sulmit terrorist në Banjskë (shtator 2023). Në një grup në Facebook të administruar nga ai, bënte pjesë edhe Zhivko Jaksiç.

Sipas aktakuzës, më 24 shtator 2023, në orën 11:56, Jovanit i ishte dërguar një lokacion përmes Google Maps për ta ndihmuar Jaksiçin të largohej nga zona e rrethimit në Banjskë.

Aktakuza zbulon se sulmi në Ibër-Lepenc ishte paralajmëruar rreth 17-18 orë para se të ndodhte, në një grup në rrjetin social Telegram me mesazhin kërcënues:

“Do të jetë sërish ferr dhe Ibër i përgjakur, kur të zbresin ujqërit nga bjeshkët Serpe.”