Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, është tërhequr nga kërkesa për ta caktuar Aleksandër Lumezin në pozitën e ushtruesit të detyrës së zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.
Këtë ai e ka konfirmuar në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të hënën.
Ai është tërhequr pasi më herët gjatë ditës Lumezi ka refuzuar propozimin e Qalajt për përzgjedhjen në këtë pozitë pozitën e zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.
Lumezi ka thënë se e ka të pamenduar ta ushtrojë këtë detyrë për shkak të angazhimeve si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve.
“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundim se në këtë moment nuk do të jem në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye me keqardhje kam vendos të refuzoj këtë propozim”, thuhet në emailin e Lumezit, drejtuar Qalajt.










