Qalaj: Është dashur të jemi më agresivë, më dinamikë – duhet të reflektojmë

Rashit Qalaj, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, bëri një autokritikë ndaj partisë së tij pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke identifikuar mungesën e të qenit “më agresiv” dhe “më dinamik” pëgjatë fushatës.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Qalaj kërkoi që PDK të nisë sa më parë procesin e zgjedhjeve të brendshme, duke theksuar se strukturat drejtuese – nga nëndegët e deri te qendra – nuk janë votuar prej katër vitesh.

“Kemi nevojë për rifreskim,” deklaroi ai, duke shtuar se partia duhet të reflektojë menjëherë, pavarësisht se, sipas tij, është herët për analiza të thella post-zgjedhore.

“Mendoj që populli i Kosovës ende nuk është duke e perceptuar mënyrën e fushatës. Ju e keni parë që bërë një fushatë që ka bërë thirrje unitet, bashkëpunim, partneritetet. Për të mirën e Kosovës. Kemi përdoru një gjuhë shumë të kujdesshme ndaj oponentëve politik, jo vetëm tash por edhe në fushatën e kaluar. Dhe po ashtu kemi qenë të kujdesshme që mos ta ofendojmë askënd.

Por realisht fatkeqësisht, mendoj që është dashur të jemi më agresiv, më dinamik, më të prerë në çështje. PDK-ja edhe pse është herët për të bërë analiza, duhet të reflektojmë, të shkojmë në zgjedhje të brendshme sa më shpejt që është mundshme. Këtu është defekti kryesore, se struktura tona, e kam fjalën që nga nëndegët deri te kryesia qendrore, nuk kemi mbajtur zgjedhje të brendshme që 4 vite. Kemi nevojë për rifreskim…”, ka thënë Qalaj.