Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), nuk e ka ndalur “dorën”, për të gjobitur subjektet politike gjatë një muaji fushatë zgjedhore në vend.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë të dielën e 9 shkurtit, kanë bërë që ky panel të gjobisë edhe në këtë ditë të rëndësishme Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Krejt kjo erdhi pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 6 mijë euro pasi Lidhja Demokratike të Kosovës ka drejtuar ankesë me pretendimin se në një tubim politik në një kafene, kandidati i LVV-Guxo Faton Peci ka përmendur LDK-në.
LVV po ashtu u gjobit në vlerë prej 2 mijë euro pas ankesës së LDK-së për një tubim në një shkollë në Prishtinë, ku pretendohet se kanë marrë pjesë edhe fëmijë.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është gjobitur në vlerë 3 mijë euro pas ankesës së Vetëvendosjes
Shkak ka qenë një takim i kryetarit të Suharekës, njëherësh kandidatit për deputet Bali Muharremaj me punonjës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Por kjo s’ishte e tëra.
Që nga 11 janari kur edhe nisi zyrtarisht fushata elektorale e subjekteve politike në Kosovë e deri në javën që lamë pas thuajse të gjitha partitë u gjobitën- anipse dikush më pak, e dikush më shumë.
Më së shumti gjoba sipas raportimeve mori Lëvizja Vetëvendosje, LDK, Koalicioni për Familjen, e të tjera me radhë.
Brenda tri jave të zhvillimit të fushatës Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjobiti partitë politike 88 herë në vlerë prej 433 mijë e 900 euro.
Në këto zgjedhje partia e cila e pësoi më tepër me gjoba ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila për tre javë ishte gjobitur hiç më pak se 21 herë, e ku të gjitha ankesat pothuajse i kishte marrë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tashmë kur kanë kaluar më tepër se 72 orë që kur kanë përfunduar zgjedhjet kjo shifër e gjobave që PZAP shqiptoi gjatë fushatës elektorale të subjekteve politike kap vlerën e mbi 640 mijë eurove.
Në lidhje me këtë çështje për lajmi.net, nga PZAP kanë thënë se shuma e përgjithshme ka mbërritur në 645 mijë e 600 euro.
“Shuma totale e gjobave të shqiptuara nga PZAP-i ndaj subjekteve politike është 645,600.00 euro”, kanë thënë nga PZAP.
Por, lidhur me këto vendime të gjobitjes nga PZAP, partitë e certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit në disa raste ankesa bënë edhe në Gjykatën Supreme.
Nga PZAP nuk kanë saktësuar se kush u gjobit më shumë, por këto gjoba në rast se nuk bien poshtë nga Supremja- do të duhet të paguhen.
Partitë politike dhe liderët e kandidatët e tyre gjatë gjithë fushatës nuk ndalën deklarimet, postimet e shpesh herë edhe takimet me qytetarë. Në krejt këto aktivitete shumë herë u përdorën edhe deklarime me fjalorë fyese, denigruese e deri tek akuzat e rënda drejtuar njëri-tjetrit.
Tani që fushata ka përfunduar dhe PZAP-s nuk i duhet më t’u shqiptojë gjoba nga kandidatët e ndryshëm veçse ka nisur deklarimi me ofendime nga më të ndryshmet e siç duket të ngjashme diskutimet do t’i kenë edhe në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës nëse veç arrijnë të bëhen deputet apo drejtues institucionesh në kuadër të Qeverisë