Besnik Tahiri ka shpërthyer ndaj një pyetje që iu bë nga gazetarët në fund të paraqitjes së tij mediale në hollin e Kuvendit të Kosovës të enjten.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, gjatë paraqitjes para gazetarëve, adresoi çështjen e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit privat. Pas miratimit dhe ekzekutimit të pagës së 13-të për sektorin publik, ai kërkoi nga qeveria që urgjentisht të shqyrtojë shpërndarjen e pagave edhe për sektorin privat.
Në largim e sipër, i drejtuar drejt sallës ku mbahen mbledhjen plenare të Kuvendit të Kosovës, Tahiri u pyet nga gazetarët nëse është i gatshëm të dhurojë pagën e tij të 13-të si deputet për bamirësi.
“A e kishe dhënë për bamirësi pagën e 13-të?”, e pyeti një gazetare, Tahirin.
Ai shpërtheu në reagim ndaj pyetjes.
“Dëgjo.. a po do me ma bërë lajm, qe po të tregoj! Unë nuk jam Ministria, çka do që të bëj unë një pjesë e njerëzve thonë ‘qe ky’. Unë dhuroj për bamirësi dhe për fukallarëk me babain tim, bashkëshorten time, rregullisht. Por, s’i qes në televizor kur i dhuroj për ndërtimin e xhamisë. S’i qes në televizoj kur dhuroj vitra sepse këtë e bëj për Zotin dhe shpirtin tim. Por mos u mundoni me më nxanë ngushtë se s’mundeni”, u përgjigj Tahiri.










