Putini kërkon që OKB-ja të qeverisë përkohësisht Ukrainën, shefi i OKB-së: Ukraina ka një qeveri

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres nuk sheh nevojën për zgjedhje të reja në Ukrainë nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara dhe ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus Vladimir Putin.

“Ukraina ka një qeveri legjitime dhe kjo padyshim duhet të respektohet”, tha Guterres kur u pyet për propozimin e Putinit.

Bëhet e ditur se Putin më parë propozoi që Ukraina të vihej nën një administratë të përkohshme të OKB-së deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Ai tha se zgjedhjet gjatë luftës, të cilat janë të ndaluara me ligj në Ukrainë, duhet të organizohen për të krijuar një qeveri që do të negociojë paqen.

Megjithatë, Ukraina dhe aleatët e saj kanë frikë se Moska do të përdorë zgjedhje të tilla për të instaluar një qeveri marionete besnike ndaj Kremlinit, veçanërisht në zonat e pushtuara nga Rusia.

Putin përsëriti se ai beson se mandati i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është i pavlefshëm.

Raportohet se Ukraina ka qenë në gjendje lufte që nga fillimi i agresionit rus, për këtë arsye zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë shtyrë.

Shumë në Ukrainë besojnë se mbajtja e zgjedhjeve gjatë kohës së luftës do të ishte jopraktike dhe e padrejtë, sepse do të ishte e vështirë të sigurohet që ushtarët dhe civilët e zhvendosur të mund të votonin.

Analistët thonë se Moska po e shtyn këtë narrativë zgjedhore për të delegjitimuar Zelenskyn dhe për të bindur administratën Trump të minimizojë rolin e tij në bisedimet e paqes.