Putini i cakton kushtet për ndaljen e luftës në Ukrainë dhe hyrjen në bisedime të paqes

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha të premten se Rusia do të bënte armëpushim dhe do të hynte në bisedime të paqes, nëse Ukraina heq dorë nga ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe nëse i tërheq forcat nga katër rajonet ukrainase të pretenduara nga Moska si territor rus.

Buzë fillimit të një konference të paqes për Ukrainën në Zvicër, ku Rusia nuk është ftuar, Putini shtroi një varg kushtesh që bien ndesh plotësisht me kushtet e kërkuara nga Ukraina, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Kushtet janë shumë të thjeshta” – tha Putini, duke e përmendur tërheqjen e plotë të trupave ukrainase nga tërë territori i rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia në lindje e në jug të Ukrainës.

“Porsa ata të deklarojnë në Kiev se janë të gatshëm për një vendim të tillë dhe fillojnë një tërheqje të vërtetë të trupave nga këto rajone, dhe gjithashtu ta njoftojnë zyrtarisht braktisjen e planeve të tyre për të hyrë në NATO – në anën tonë, menjëherë, në mënyrë të fjalëpërfjalshme në të njëjtën minutë, një urdhër do të pasojë për armëpushim dhe për nisje të bisedimeve” – tha kreu i Kremlinit.

“Po e përsëris, do ta bëjmë këtë menjëherë. Natyrisht, ne në të njëjtën kohë do të garantojmë tërheqje të papenguar dhe të sigurt të njësiteve dhe formacioneve ukrainase” – shtoi ai.

Rusia e kontrollon gati një të pestën e territorit të Ukrainës në vitin e tret të luftës. Ukraina thotë se paqja mund të mbështetet vetëm në tërheqjen e plotë të forcave ruse dhe rivendosjen e integritetit të saj territorial.

Në samitin që do të mbahet për Ukrainën këtë fundjavë në Zvicër, ku do të marrin pjesë përfaqësues të më shumë se 90 shteteve dhe organizatave, pritet që fokusi të mos jenë çështjet territoriale, por çështje si siguria ushqimore dhe siguria bërthamore në Ukrainë.

Kremlini ka thënë se samiti i Zvicrës do të jetë “i kotë” pa pjesëmarrjen e Rusisë.

As Kina nuk do të marrë pjesë në këtë takim, pavarësisht nga thirrja e Ukrainës që Pekini të jetë pjesë e samitit.

Më herët të premten, Gazeta Nacionale publikoi një raport të agjencisë “Reuters”, ku tregohej se si Kina po shtyn përpara një plan alternativ të saj për paqe në Ukrainë.

Related Posts