Putini ante portas: a po bëhet Ballkani bedeni i Rusisë, Kinës dhe Turqisë?

Volker Pabst, Stamboll, 30.10.2019

Përkthimi:
Nexhmedin Gerguri

BE-ja nuk u ofron më vendeve të Ballkanit perspektivë të besueshme të zgjerimit . A po i shtyn kjo kështu këto vende në krahët e Moskës, Ankarasë dhe Pekinit? Këto vende kanë shtrirë ndikimin e tyre në regjion në vitet e fundit.

Vetëm një javë pasi që BE-ja u tregoi bërrylin Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, një shefe e qeverisë së një vendi tjetër ballkanik udhëtoi në Moskë për të nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Unionin Ekonomik Euro-aziatik të Rusisë. Udhëtimi i shefes së Qeverisë së Serbisë, Ana Brnabic, do të duhej të ketë qenë i planifikuar pavarësisht nga rezultati i Samitit të BE-së. Por koha e ndodhjes së saj menjëherë pas vetos së Francës ndaj fillimit të bisedimeve të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën ishte e tillë sa në shumë artikuj dhe deklarata u përdor si një simbolikë e paralajmërimit të zhvillimeve të ardhshme.

Mungesa e një perspektive anëtarësimi argumentohet si një shmangie nga Perëndimi dhe si ndihmë aktorëve si Rusisë, Kinës dhe Turqisë për më shumë ndikim në Ballkan. Në përputhje me këtë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, deklaroi këtë javë për “Finacial Times” se Samiti i BE-së shprehu domosdoshmërinë e kultivimit të kontakteve të ngushta me Pekinin dhe Moskën.

Humbja e besimit të Perëndimit

S’ka kurrfarë dyshimi se BE-ja dhe Perëndimi kanë humbur në mënyrë të konsiderueshme nga besimi dhe nga hapësira e manovrimit. Marrëdhëniet mes Brukselit dhe vendeve të regjionit pas fundit të luftërave në Jugosllavi ndërtoheshin në premtimin e integrimit sukcesiv në përputhje me përparimet e bëra në reformat ekonomike dhe ato të drejtësisë. Por për shkak të lodhjes së dukshme të Bashkësisë drejt zgjerimit, ky model, para Samitit, funksiononte vetëm në dukje. Sundimtari afatgjatë i Malit të Zi, Gjukanovic, apo presidenti serb, Vuçiq, qe një kohë të gjatë nuk po bëjnë asgjë për demokratizimin e qëndrueshëm të vendeve të tyre.

Me refuzimin e Maqedonisë së Veriut, më nuk po përfillet as forma. Qeveria në Shkup u bëri ballë presioneve enorme në kontestin e emrit me Greqinë vetëm për të hapur rrugën e fillimit të bisedimeve. Por kjo nuk u shpërblye. Duke pasur parasysh rritjen e presionit të brendshëm politik, qeveria rrezikon edhe të mos votohet më. Për aspiruesit e Ballkanit, Samiti i fundit paraqet një cezurë.

Autokratët e popullarizuar

Përkundrazi, Rusia, Kina dhe Turqia kanë shtirë ndikimin e tyre në regjion këto vitet e fundit. Shumë faktorë e favorizojnë këtë zhvillim. Putini, Erdogani dhe Xi janë mysafirë të nderuar në shefave autokratë të shteteve të regjionit, pasi që ata prej tyre s’kanë arsye të dëgjojnë fjalime rituale për demokracinë dhe ligjshmërinë. Edhe te popullsia, këta burra të fuqishëm gëzojnë respekt të lartë. Kjo shihet më së miri në vizitat zyrtare të Putinit në Serbi.

Rusia është posaçërisht e popullarizuar në regjionet sllavo-ortodokse dhe prezantohet aty si një kundërmodel vlerash i Perëndimit dekadent. Turqia ndihet posaçërisht e lidhur me myslimanët, por posedon një fuqi të butë të konsiderueshme në tërë rajonin. Flota aeronautike e Turqisë e mbulon regjionin më mirë se asnjë tjetër dhe prodhimet televizive turke, si ato mbi Perandorinë Osmane, janë veçanërisht të popullarizuara, përkundër të gjitha anomiziteteve historike. Në veçanti me Serbinë ekzistojnë marrëdhënie intensive ekonomike. Tek para dy javësh Erdogani ishte atje në një vizitë me një delegacion të gjerë.
Kina është e pranishme, në radhë të parë, si investitor. Me përjashtim të Kosovës, të cilën Pekini nuk e njeh, të gjitha vendet e tjera të regjionit janë pjesë e iniciativës së bashkëpunimit me vendet e Evropës së Mesme dhe Lindore (17 + 1). Të gjitha vendet e regjionit janë të varura nga investimet e jashtme në modernizimin e infrastrukturës së tyre të vjetruar. Përderisa nuk kanë qasje në fondet strukturore të BE-së, investimet nga Kina dhe Turqia janë më se të mirëseardhura.

Rreziqet reale

Ndikimi në rritje i këtyre shteteve fsheh rreziqe reale për Ballkanin. Moska lufton rritjen e ndikimit perëndimor, sidomos atë të NATO-s. Rusia di më së miri t’i instrumentalizojë thyerjet historike dhe mungesën e stabilitetit latent. Rritja e dëshpërimit ndaj BE-së shton hapësirën e manovrimit të Rusisë në regjion. Këtë javë Rusia zhvendosi për herë të parë sistemin e vet të armatimit S-400 në Serbi për një manovër të përbashkët ushtarake. Duke pasur parasysh konfliktin e NATO- s me Rusinë për blerjen e sistemit raketor të Rusisë, ky paraqet një veprim me karakter të fortë simbolik.

Ankaraja po eksporton në masë të konsiderueshme të konceptuarit e saj të ligjshmërisë dhe po kërkon përkrahje të shtuar në ndjekjen e kundërshtarëve qeveritarë. Kjo shprehet sidomos në presionet mbi rrjetin e shkollave të Gylenit, që konsiderohet si nxitës i tentim-puçit ushtarak të vitit 2016. Nga Kosova u kidnapuan mësues turq, nga Bosnja u dëbuan shumë turq pak para vizitës së fundit të Erdoganit atje.

Projektet e mëdha të financimit nga ana e Kinës shpesh janë të lidhura me korrupsion, gjë që krijon sërish potencialin e rrënimit të ligjshmërisë. Mali i Zi, i cili ka borxhe të mëdha ndaj Kinës për shkak të projektit për autostradë, rrezikon të bëhet viktimë e diplomacisë kineze të rënies në kurthin e borxheve.

Se Moska dhe Stambolli do të bëhen dy qendra të reja graviteti në Ballkan është për dy arsye, megjithatë, jo e besueshme. Kooperimi efektiv me këto dy shtete përgjithësisht mbivlerësohet. Pjesëmarrja e Rusisë në tregtimin e jashtëm përbën 6%, kurse ai i BE-së 73,5%. Këtu nuk do të mund të ndryshojë shumë as Marrëveshja e Serbisë me Unionin Euro-aziatik. Edhe në çështje të sigurisë mbështetja bazohet në Perëndimin. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë pjesë e NATO-s. Kosova do ta dëshironte këtë. Bosnja dhe Serbia marrin pjesë në partneritetit për paqe të NATO-s.

Edhe popullsia mund t’i pëlqejë emisionet dhe seritë e pafund televizive dhe të shfaqë simpati për burrin e fuqishëm të Kremlinit, por, megjithatë stili perëndimor i jetesës është ai që pëlqehet. Edhe shpërngulja e popullsisë ndodh drejt Veriut dhe Perëndimit. Edhe të rinjtë serbë kërkojnë shumë rrallë fatin e tyre në Moskë apo Carigrad, siç quhet Stambolli në hapësirën e sllavëve të Jugut. Shtetet autoritare kanë thjesht më pak për t’i ofruar Ballkanit sesa Perëndimi. Edhe në vetë Serbinë, tradicionalisht mike me Rusinë, 45% e popullsisë është për anëtarësim në BE dhe vetëm 17% për anëtarësim në Unionin Ekonomik Euro-aziatik të dominuar nga Rusia.

Së dyti, as Moska, as Ankaraja dhe as Pekini nuk janë unikë në Ballkan. Rusia dëshiron që në radhë të parë të pengojë ekspansionin e aleancës ushtarake perëndimore dhe ta dobësojë atë duke ndezur kriza të vogla në prapavijë.

Pekini dhe Ankaraja e shohin regjionin si një korridor transporti në drejtim të Evropës së Mesme dhe Veriore. Edhe në çështjen e Kosovës ato përfaqësojnë qëndrime diametralisht të kundërta. Moska dhe Pekini, duke pasur parasysh lëvizjet secesioniste në vendet e tyre, janë për sovranitetin e Serbisë në atë territor, kurse Ankaraja anon nga Kosova si një lloj fuqie mbrojtëse e myslimanëve. Një bllok i bashkuar kundër perëndimit nën kushte të tilla vështirë se mund të krijohet.

Përfitojnë elitat e korruptuara

Por edhe duke mos pasur konkurrencë të fortë nga Lindja, Perëndimi humb në Ballkan dhe me të edhe pjesët e popullsisë që duan t’i demokratizojnë shtetet e tyre. Sepse në të ardhmen do të jetë edhe më vështirë të çohen përpara vlerat si ligjshmëria, demokracia dhe ekonomia liberale e tregut dhe me këtë të kontribuohet në një stabilizim afatgjatë të regjionit më konfliktuoz të Evropës.
Fituesit e vërtetë janë elitat autokratike lokale, të cilat përmes mashave të nxitjes së disponimit nacionalist, fitojnë zgjedhjet dhe njëkohësisht pasurohen përmes strukturave oligarkike të pushtetit. Ato do të kenë pastaj edhe më pak arsye të dëgjojnë zërat e dhjetëra-mijëra të të pakënaqurve, të cilët në muajt e fundit dolën gjithnjë më shpesh në rrugët e Serbisë, Mal të Zi dhe Shqipërisë për të kërkuar reforma në drejtësi.