Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë të hënën se “nuk është mirë” që presidenti rus, Vladimir Putin mund të udhëtojë në Hungari, anëtaren e BE-së, për bisedime mbi Ukrainën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten se së shpejti do të takohet me Putinin në Budapest
Kallas u ka thënë gazetarëve përpara një takimi të ministrave të Jashtëm evropianë në Luksemburg se përpjekjet e Trumpit për të sjellë paqe janë të mirëseardhura, por se është gjithashtu e rëndësishme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të takohet me udhëheqësin rus.
“Amerika ka shumë forcë për të ushtruar presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave, nëse e përdorin këtë, atëherë, sigurisht, kjo është mirë nëse Rusia e ndal këtë luftë”.
Putini përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nga e cila Hungaria është në proces të largimit.
“Lidhur me Budapestin, jo, nuk është mirë… të shohësh që në të vërtetë një person i vënë në urdhër arresti nga GJPN-ja po vjen në një vend evropian”.
Ministri i Jashtëm lituanez, Kestutis Budrys, ka thënë se nuk ka vend për Putinin në asnjë kryeqytet evropian.
“Vendi i vetëm për Putinin në Evropë është në Hagë, përpara gjykatës, jo në asnjë nga kryeqytetet tona”, ka thënë ai përpara takimit të ministrave./TCH