Dy hetues të aferave korruptive të njerëzve të pushtetit janë degraduar në pozita. Idriz Gashi dhe Shaip Elshani, nga Njësia e Veçantë Hetimore janë degdisur në poste periferike. Gashi është sistemuar në trafik, në pozitën e mbikëqyrësit të patrullës në Skenderaj. Elshani në pozitën e hetuesit në Malishevë.
Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili kontrollon Policinë e Kosovës, i ka ndëshkuar hetuesit që zbuluan lëndët korruptive në të cilat janë implikuar njerëzit e regjimit.
Idriz Gashi dhe Shaip Elshani, dy hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore (NjVH) e cila merret me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, janë degraduar në pozita dhe janë degdisur larg Prishtinës.
Vendimet për degradimin në pozita të të dy hetuesve i ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Paparaci ka siguruar dy vendimet. Ato janë nxjerrë në korrikun e këtij viti. Mbajnë firmën e drejtorit Gazmend Hoxha.
Idriz Gashi, ish-shef i një ekipe të Njësisë së Veçantë Hetimore që trajtoi lëndët më të mëdha korruptive të njerëzve të pushtetit, është degdisur nga Prishtina në Skenderaj.
Pjesëtar i organit të policisë prej 17 vjetësh, rreshteri Gashi është degraduar në pozitë si Mbikëqyrës i Ekipit Patrullues në trafik në Stacionin Policor të Skenderajt, tregon vendimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Në dispozitivin e vendimit thuhet se rreshteri Idriz Gashi është sistemuar në këtë pozitë “për një kohë të pacaktuar”.
Arsyetimi për degradimin në pozitë të rreshterit, ironikisht është vlerësuar të jetë ngritja e performancës së institucionit.
“Bazuar në vendimmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, me qëllim përmbushjen e nebojave operacionale dhe rritjen e performancës së Policisë së Kosovës, Drejtoria e Personelit vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Paparaci merr vesh se Idriz Gashi ka udhëhequr ekipën hetuese nr.6, e cila trajtoi lëndën për korrupsion të Faruk Mujkës, kryeshefit të Ndërmarrjes Publike ‘Ibër-Lepenec’.
Hetimet e ekipës hetuese të udhëhequr nga rreshteri Gashi, të realizuara në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, rezultuan me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj njeriut të Lëvizjes Vetëvendosje në shtator të këtij viti.
Gashi, po ashtu ishte pjesë e ekipit që hetoi lëndët korruptive në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të cilat ish-kryeshefi i kësaj ndërmarrje Nagip Krasniqi, një anëtar tjetër i partisë në pushtet, po përballet në gjyq me akuza për korrupsion.
Hetuesi tjetër i ndëshkuar nga pushteti është Shaip Elshani, me gradën Polic i Lartë në Policinë e Kosovës.
Me vendimmarrje të drejtorit Gazmend Hoxha, hetuesi i Njësisë së Veçantë Hetimore është degdisur nga qendra në periferi. Nga Prishtina në Malishevë.
Elshani, pjesëtar i institucionit të Policisë nga viti 2005, në korrikun e këtij viti është degraduar në pozitën e hetuesit të thjeshtë në Sektorin e Hetimeve në Stacionin Policor të Malishevës, tregon vendimi të cilin e ka siguruar Paparaci.
“Izolimi” i Elshanit në Malishevë dyshohet se vjen si hakmarrje e pushtetit ndaj punës së ish-hetuesit në trajtimin e rastit korruptiv të Rezervave Shtetërore, për të cilën Prokuroria Speciale e akuzon ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe tre të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare.
Ndryshimet në strukturën e Njësisë kanë nisur para rreth dy vitesh me shkarkimin e Shemsi Hazirit, ish-shefit të NjHV-së që nga viti 2010.
Haziri, sikurse dy hetuesit e degraduar në korrikun e këtij viti, ishte marrë gjatë me hetimin e aferës financiare të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt.
Në kohën e largimit, Haziri ndodhej në mesin e trajtimit të disa lëndëve të tjera të korrupsionit të nivelit të lartë që përfshinte figura udhëheqëse në Qeverinë Kurti, përfshirë hetimet penale për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.
Largimin e Hazirit, drejtori Gazmend Hoxha e kishte cilësuar “ri-sistemim” dhe avancim të tij në detyrë.
“Nuk është shkarkuar, nuk është suspenduar, por është ri-sistemuar nga pozicioni i shefit të Task-Forcës në Drejtorin e Trafikimit me Narkotik. Është një avancim në pozitë në një pozitë që është shumë e rëndësishme për policinë e Kosovës”, kishte deklaruar Hoxha në një intervistë për RTK-në gjatë vitit 2023.
Kryepolici kishte premtuar se hetimi për rastet e caktuara të korrupsionit do vazhdonte edhe pas largimit të Hazirit.
Si zëvendësim i Shemsi Hazirit, në krye të NjHV-së erdhi Besim Berisha, një major i Policisë së Kosovës me prejardhje nga Podujeva. Në media është raportuar se Berisha është më i afërt me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Njësia e Veçantë Hetimore është një strukturë e formuar në vitin 2010 nën emrin e Task Forcës Kundër Korrupsionit. Në vitin 2020, Task-Forcës iu ndërrua emri në Njësia e Veçantë Hetimore. Kompetencat dhe fushëveprimi i njësisë mbetën të njëjta.











