Hetimet ndaj rreshterit të Policisë së Kosovës, Idriz Gashi, i cili dyshohej se kishte marrë pjesë në një tubim elektoral të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), janë pushuar.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se “e vërteta doli në shesh”.
“Idriz Gashi – i pastër si loti” – shkroi Koci, duke sqaruar se Gashi, i cili ishte pjesë e Task Forcës Hetuese dhe hetues në rastet më të ndjeshme të korrupsionit në vend, ishte dyshuar padrejtësisht për pjesëmarrje në tubimin e PDK-së.
“Sot jemi informuar se hetimet janë pushuar. Nuk ka pasur asnjë shkelje. Asnjë provë. Asnjë fakt”, ka shtuar avokati.
Ai theksoi se që nga dita e parë kishte besuar në pafajësinë e klientit të tij dhe e kishte inkurajuar atë të mos dorëzohej.
“Këtë betejë do ta fitojmë, sepse po akuzohesh padrejtësisht”, i kishte thënë avokati, duke theksuar se vendimi për pushimin e hetimeve e ka nxjerrë Gashin më të fortë dhe me kokën lart.