Pushime me para publike, Komuna e Shtimes shpenzon rreth 5 mijë euro për “trajnime” në bregdet

Kush ka besuar se administrata komunale në Shtime është duke u djersitur për të përmirësuar arsimin e shëndetësinë është mirë t’i rishqyrtojë bindjet. Në këtë komunë, përmirësimi institucional duket se kërkohet në bregdet. Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i njohur edhe si “Çlirimtari”, ka vendosur të ndajë gati 4,928.00 euro për një “trajnim” katërditor të zyrtarëve komunalë në Budvë, Kotorr, Tivar dhe Shkodër, shkruan Demokracia.com.

“Organizimi i punëtorisë – Trajnime për zyrtarët e Administratës”. Kështu quhet tenderi i realizuar nga prokurimi i Komunës së Shtimes.

Sipas kontratës së Prokurimit të datës 10 prill, operatori “Sherif Salihi B.I.” nga Dragashi do të organizojë këtë aktivitet, i cili në praktikë ngjan më shumë me një udhëtim turistik sesa me trajnim profesional.

Sipas dosjes së tenderit nuk përmendet asnjë lloj trajnimi apo ndonjë shpenzim për trajner. Tenderi ka të bëjë vetëm me akomodim.

Itinerari përfshin: Nisja: 18 prill 2025, ora 13:00,
19 prill: Vizitë në Budvë, Kotorr dhe Tivar,
20 prill: Ekskursion në lumin Buna,
21 prill: Vizita në Shkodër, Patok dhe kthim në Kosovë.

“Trajnimi” do të përfshijë 70 persona të administratës.

Burime nga administrata komunale tregojnë se kjo nuk është hera e parë që aktivitete të tilla mbahen jashtë vendit, pa ndonjë ndikim real në punën e zyrtarëve.

“Akomodimi në hotel në për tri net, duke përfshirë: tri mëngjesa, tri darka. Gjatë shujtave duhet të servohet nga një lëngë dhe ujë. Akomodimi duhet të bëhet nga dy persona në dhomë, eventualisht tre në kushte të njëjta”, thuhet në përshkrimin e tenderit. /Demokracia.com/