Qytetarët të cilët kanë qenë të angazhuar në procesin zgjedhor të 9 shkurtit, qoftë si komisioner, numërues të votave në Qendrat Komunale dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, apo staf tjetër, disa prej tyre janë ankuar se ende nuk kanë marrë pagesat për punët e kryera.
Disa prej tyre në adresë të Telegrafit kanë shprehur shqetësim për këtë çështje, duke theksuar se vonesa të tilla nuk ka pasur më herët dhe se kjo po krijojnë pakënaqësi dhe në të ardhmen do të mund të ketë telashe që të gjenden vëzhgues e komisioner.
Lidhur me këtë problematikë, Telegrafi ka kontaktuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilët kanë deklaruar se procesi i procedimit të pagesave është në përfundim e sipër.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se një pjesë e vonesave ka ndodhur për shkak të gabimeve teknike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me procedimin e listave në Ministrinë e Financave për pagesat e personave të angazhuar gjatë fazave të ndryshme në procesin zgjedhor dhe ky proces është në përfundim e sipër. Ka persona që ende nuk i kanë marrë mjetet që i takojnë për arsye të ndryshme dhe që po përsëriten në çdo proces zgjedhor, si: gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari joaktive apo edhe llogari jopersonale. Në këto raste, janë duke u bërë përmirësimet në mënyrë që KQZ t’i ridërgojë për pagesë në Ministrinë e Financave”, ka thënë Elezi.
KQZ kishte angazhuar rreth 20 mijë persona për të qenë pjesë e procesit zgjedhor dhe për të mbikëqyrur këtë proces.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.
LVV-ja i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 42.30 për qind të votave, duke i lënë pas Partinë Demokratike të Kosovës me 20.95 për qind dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës me 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.