Punëtorët e Telekomit kanë reaguar pas publikimit të një ultimatumit që Z-Mobile nën pronësi të Blerim Devollit, i ka bërë Telekomit të Kosovës për pagimin e borxhit brenda dy javëve.
Ata përmes një njoftimi kanë thënë se nuk do të rrijnë duarkryq dhe do ta mbrojnë vendin ku punojnë.
“Punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk do të rrijnë më duarkryq përballë shkaktarëve të dëmtimit të Telekomit të Kosovës. Nëse dikush tenton që 2500 punëtorë të Telekomit t’i le pa punë duke ua vjedhur hapur të hyrat e tyre, si dhe 1100 punëtorë të Postes të cilët varen edhe nga të hyrat e Telekomit, ne i paralajmërojmë fuqishëm se me djersën tonë nuk do ta gëzojnë dot si pasuri të tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas tyre Telekomi rrezikohet nga Z-Mobile.
“Kreshnik Gashi, tha se, “Telekomi ka shumë sfida dhe rrezikohet nga operatorët e tjerë virtualë”. Pra, dhe sipas institucionit përgjegjës për rregullimin e tregut të telekomunikimeve elektronike lexohet qartë se Telekomi rrezikohet nga Z-Mobile”,thuhet tutje.
Punëtorët e kësaj federate i kanë bërë thirrje Prokurorisë të ndërhyjë dhe të suspendojë procedurat e tilla përmbaruse që kanë lidhje me Telekomin.
Përndryshe, FSP-PTK ka paralajmëruar se nëse nuk veprojnë institucionet përgjegjëse për këtë do të ketë protesta, sipas tyre, të pa ndalshme.
Gazeta inFokus gjatë ditës ka raportuar se Z-Mobile përmes një letre zyrtare i ka dhënë ultimatum kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi që në një afat brenda dy javësh të kryhet ky borxhi.