Nesër punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës do të nisin grevën njëorëshe. Kjo për shkak të mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, çka ka lënë pa paga që 16 ditë punëtorët e RTK-së. Sindikata e Radios, gjatë ditës, ka bërë thirrje që të mblidhet kryesia e Kuvendit e të caktohet një seancë e jashtëzakonshme për transmetuesin publik.
Edhe pse puna e prodhimi po vazhdojnë, punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë hyrë në ditën e 16-të pa paga.
Pas protestave të organizuara, nga e hëna stafi i televizionit do të hyjë në grevë njëorëshe nga ora 11:00.
“Kemi njerëz që udhëtojnë prej qyteteve të ndryshme të Kosovës, të cilët nuk mund të vijnë për ta kryer punën e tyre për shkak të mungesës së financave dhe mungesës së pagave. Kemi njerëz të cilët, fatkeqësisht, kanë telashe shëndetësore, dhe sëmundja nuk të pyet a ke pagë, a ke Kuvend. Duhet të gjejnë para kudo për të siguruar barnat. Nuk ka asnjë lëvizje për alokim të mjeteve për RTK-në, rrjedhimisht ne si punonjës të RTK-së kemi mbetur në gjendje shumë të rëndë dhe pa përkujdesje institucionale. RTK e ka Kuvendin për pronar. Partitë politike ndoshta duhet t’i shtojnë përpjekjet”, tha Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
Përfaqësues të punonjësve të RTK-së thonë se gjendja e krijuar po rëndon mirëqenien e punëtorëve, për çka kërkojnë nga institucionet që sa më shpejt të bëjnë një zgjidhje.
“Kjo gjendje, për Sindikatën e Pavarur të RTK-së, është e papranueshme dhe ne po marrim të gjithë hapat sindikalë për të realizuar kërkesën tonë të vetme, e cila është transferimi i buxhetit të RTK-së, rrjedhimisht edhe i pagave të punëtorëve. Përveç protestave, nuk përjashtohen grevat apo hapa të tjerë,” tha Driton Beqiri, anëtar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
E nga Sindikata e Radio Kosovës kanë kërkuar që urgjentisht të mblidhet kryesia e Kuvendit dhe të caktohet një seancë e jashtëzakonshme për transmetuesin.
“Kemi bërë protesta dhe do të vazhdojmë sërish të protestojmë, mirëpo unë i bëj thirrje kryetarit të Kuvendit që të thërrasë një seancë urgjente, fillimisht të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe pastaj të caktojë një seancë urgjente me të vetmen pikë të rendit të ditës, e cila është buxheti i RTK-së,” tha Pajazit Krasniqi, kryetar i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës.
Drejtori i Televizionit të RTK-së, Rilind Gërvalla, u ka dërguar letër zyrtare Qeverisë e Kuvendit për të kërkuar alokimin e mjeteve të nevojshme për funksionimin e RTK-së.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme për ta siguruar buxhetin për transmetuesin publik. /RTK











