Punëtorët e KEK-ut shpalosin “surprizën”, kërkojnë pagë mesatare 1,100 euro

Kryetari i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë shpalosur surprizën e punëtorëve që kanë protestuar të mërkurën, duke thënë se kërkojnë pagë mesatare 1,100 euro.

Kjo shumë sipas tij është përmendur nga kryeshefi i KEK-ut, i cili ka thënë se punëtorët e kësaj ndërmarrje marrin pagë mesatare në këtë shumë.

Në fjalën e tij para punëtorëve në protestë, Llumnica ka thënë se do ta dëgjojnë fjalën e kryeshefit dhe do të kërkojnë pagë në këtë shifër.

“Kryeshefi i KEK-ut jo vetëm se nuk është i interesuar t’i zgjidhë kërkesat e punëtorët të KEK-ut, por po na thotë se i kemi pagat më të larta në Kosovë. Sigurisht se ai po i mendon shërbyesit civilë sikur ndërmarrjet publike, e aq më larg KEK-un që sot vdesin 1% të stafit. Kryeshefi i KEK-ut na tha se i kemi mbi 1,100 e disa euro të ardhura mujore. Ne Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës e dimë që mesatarja e pagës bazë është rreth 750 euro. Kam thënë se e kam një surprizë, e ajo surprizë është mos t’ia shkelim fjalën kryeshefit, pra ne nga këtu kërkojmë 1,100 euro pagë mesatare. Për të mbetur kjo pagë 1,100 duhet të shtohen edhe 350 euro për secilin punëtorë, në bazë të pagës mesatare. Prandaj nga këtu kjo kërkesë do të jetë legjitime dhe nuk do ta anashkalojmë asnjëherë deri në grevë”, ka thënë ai.

Llumnica ka akuzuar tutje menaxhmentin për keqplanifikim dhe keqmenaxhim të KEK-ut.

“Kjo që po e bën menaxhmenti i KEK-ut po duket si për inat, po këta punëtorë janë të cilët e mbajnë prodhimin. Ne shpeshherë kemi punuar pa menaxhment fare. Na u është thënë se performanca është e dobët, jam i bindur se performanca ka qenë shembullore, por keqplanifikimi dhe keqmenaxhimi nuk janë faj i yni”, është shprehur ai.