Sindikata e Re e KEK-ut ka paralajmëruar protestë për ditën e punëtorëve, më 1 Maj, duke kërkuar rritje pagash dhe kushte më dinjitoze pune për të gjithë punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas njoftimit të publikuar nga kjo sindikatë, protesta do të mbahet të mërkurën, në ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Përmes këtij mobilizimi, punëtorët synojnë të ngrenë zërin për punën e tyre të përditshme, e cila, siç thuhet në komunikatë, është e ngarkuar me lodhje, rrezik dhe sakrificë që nuk paguhet siç duhet.
“Ja pse punëtorët e KEK-ut meritojnë rritje pagash! Kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë – është lodhje, është rrezik, është sakrificë çdo ditë,” thuhet në thirrjen e Sindikatës së Re të KEK-ut.
Organizatorët theksojnë se kërkesa kryesore është një pagë dinjitoze dhe respekt për punën që bëhet në sektorin energjetik, që konsiderohet një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më të rrezikshëm në vend.