Punëtorët e Hidrodrinit paralajmërojnë grevë, të pakënaqur me kushtet e punës në ndërmarrjen e udhëhequr nga njeriu i VV-së

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të KRU “HIDRODRINI” ka njoftuar se do të hyjë në grevë paralajmëruese më 17 dhjetor 2025, nga ora 09:00 deri në 10:00, pas vendimit të marrë nga Këshilli i Grevës në mbledhjen e 11 dhjetorit.

Sipas sindikatës, vendimi vjen për shkak të mungesës së përgjigjeve zyrtare ndaj kërkesave të punëtorëve, pavarësisht komunikimeve dhe negociatave të zhvilluara me menaxhmentin dhe institucionet përkatëse. Kërkesat kryesore përfshijnë rritje lineare të pagave prej 110 euro, barazimin e shujtës së mëngjesit në vlerë prej 5 euro dhe pagesën e pagës së 13-të.

Sindikalistët paralajmërojnë se, nëse nuk ka hapa konkretë pas grevës paralajmëruese, veprimet sindikale do të përshkallëzohen deri në grevë të përgjithshme, duke theksuar se mbeten të hapur për dialog, por të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

Kujtojmë se Ndërmarrja Publike “Hidrodrini” tash e një kohë po përballet me telashe të shumta. Disa muaj më parë, drejtori Dri Cena u denoncua nga sekretari i kësaj ndërmarrjeje, Ardit Gervalla.

Ky i fundit i ka konfirmuar Insajderit se ka ngritur kallëzim penal lidhur me shkeljet e gjetura në këtë ndërmarrje.

Ndërkaq, në vitin 2024, ish-bordi i ndërmarrjes e shkarkoi Cenën. Megjithatë, Qeveria Kurti ndërhyri duke shkarkuar të gjithë bordin dhe duke emëruar një bord të ri. Ku ky bord mori vendim që ta rikthejë në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të njëjtin person.