Publikohet në fletoren zyrtare italiane marrëveshja për pensionet me Shqipërinë

Qeveria italiane ka shpallur në Fletoren Zyrtare marrëveshjen e re me Shqipërinë për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshja, e nënshkruar në shkurt të vitit të kaluar, pritet të hyjë në fuqi brenda disa javësh dhe do të sigurojë përfitime të rëndësishme për qytetarët e të dyja shteteve.

Kjo marrëveshje garanton të drejtat e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali, si dhe të italianëve që kanë punuar dhe kontribuar në Shqipëri. Ajo përfshin skemat e sigurimeve shoqërore për pensionet e pleqërisë, pensionet për invaliditet, pensionet familjare, sigurimin për sëmundjet dhe lejen e lindjes, si dhe sigurimin e papunësisë.Rreth gjysmë milioni shqiptarë dhe 4 mijë italianë do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, që është një hap i rëndësishëm për lehtësimin e procedurave të pensioneve ndërkufitare.Në përputhje me marrëveshjen, është miratuar një fond prej 12 milionë eurosh për vitin 2025, me rritje të vazhdueshme për vitet në vijim: 13.6 milionë euro për vitin 2026, 13.1 milionë euro për vitin 2027, dhe rritje të mëtejshme deri në 23.4 milionë euro për vitet pas 2031.Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me shumë shtete, duke përfshirë Turqinë, Belgjikën, Hungarinë, Luksemburgun, dhe shumë të tjera, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të siguruarve shqiptarë jashtë vendit.