Publikohen pamjet kur agjentët federalë të imigracionit qëllojnë për vdekje një grua në Minneapolis

Janë publikuar pamjet e incidentit ku agjentët federalë të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje një grua 37-vjeçare në Minneapolis. Sipas pamjeve, patrulla e agjentëve mbërriti në vendngjarje ndërsa një nga agjentët tenton ti hapë derën e makinës për ta nxjerrë jashtë. Në këtë moment, gruaja, e cila ndodhet në timon, nuk pranon të hapë derën dhe i jep makinës para, ndërsa agjenti tjetër, që ndodhej përpara mjetit, del në anësore dhe e qëllon me disa të shtëna, duke e lënë të vdekur.

Incidenti u filmua nga një dëshmitare në zonë, e cila bëriti: “Turp, turp, jo, jo, çfarë dreqin bëni, kriminelë të mallkuar!”. Pamjet tregojnë SUV-në ngjyrë gështenjë të përplasur pranë një automjeti të bardhë, ndërsa dhjetëra banorë dhe kalimtarë u mblodhën pranë vendit të ngjarjes, i rrethuar me shirit policor.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, zyrtari federal qëlloi në mënyrë mbrojtëse, pasi gruaja dyshohet se përdori automjetin për të përplasur oficerët dhe për t’i kërcënuar ata.

Kryebashkiaku Jacob Frey komentoi incidentin, duke theksuar reagimin e komunitetit:
“E kuptoj zemërimin. Le të bashkohemi rreth shpresës, dashurisë, paqes dhe arritjes së drejtësisë.”

Ai gjithashtu kritikoi praninë e forcave federale në qytet, duke theksuar se veprimet e tyre nuk kanë synim krijimin e sigurisë.