Publikohen mbi 1 mijë faqe dokumente për emërimin e Mandelson si ambasador në ShBA

Është publikuar grupi i dytë i dokumenteve lidhur me emërimin e Lord Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë dosjet dhe komunikimet, ndërsa pritet që së shpejti të publikohen detaje kryesore, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer ka deklaruar se në procesin e shqyrtimit të mijëra dokumenteve janë përfshirë “të gjitha departamentet qeveritare”, duke shtuar se publikimi i tyre synon të sigurojë “transparencë të paprecedentë”.

Mandelson ishte emëruar në këtë pozitë në dhjetor të vitit 2024, por u shkarkua nëntë muaj më vonë, pas daljes së detajeve të reja për lidhjet e tij me të ndjerin, të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.

Më herët këtë vit, deputetët miratuan një votim detyrues për publikimin e dosjeve.

 Në publikimin e parë në mars ishte bërë e ditur se Starmer ishte paralajmëruar se marrëdhënia e Mandelson me Epstein paraqiste një “rrezik të përgjithshëm për imazhin publik”.

Ndërkohë, Mandelson është nën hetime penale për dyshime për “keqpërdorim të detyrës publike”.

 Ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka vepruar në mënyrë të paligjshme, nuk ka përfituar personalisht dhe po bashkëpunon me autoritetet.