PSG “tradhton” Kolo Muani, kushti i francezëve vështirë të pranohet nga Juventus

E ardhmja e Kolo Muani është sërish në pikëpyetje, edhe pse afati kalimtar i merkatos verore mbyllet më 1 shtator. Sulmuesi francez nuk është në planet e Luis Enrique, ndaj duhet të gjejë një ekip të ri.

Dëshira e Kolo Muani është të rikthehet përfundimisht te Juventus, aty ku shkëlqeu gjatë huazimit në gjysmën e sezonit të kaluar. Fillimisht, PSG kërkonte 55 milionë euro për shitjen përfundimtare të sulmuesit, por tani francezët duket se kanë ndryshuar mendje.

“La Gazzetta dello Sport” raporton se klubi francez kërkon tani plot 70 milionë euro për të lënë të lirë Kolo Muani, gjë që ka acaruar së tepërmi sulmuesin. Ai ndihet i “tradhtuar” nga drejtuesit e klubit. Kolo Muani ka refuzuar edhe një ofertë të bujshme nga Newcastle në Premier League, pasi dëshiron vetëm transferimin te Juventus.

Bardhezinjtë preferojnë më shumë opsionin e huazimit me të drejtë blerjeje, por vështirë se ky propozim të pranohet nga francezët. Sipas raportimit në fjalë, pritet një tjetër ofertë nga Juventus në drejtim të PSG-së për Kolo Muani gjatë këtyre ditëve të fundit të merkatos.

The post PSG “tradhton” Kolo Muani, kushti i francezëve vështirë të pranohet nga Juventus appeared first on Telesport.