PSG, “plaga” e hapur për Messin. Gati përballja e përzier me ish-ekipin e tij

Lionel Messi do të luajë të dielën, për herë të parë në karrierën e tij, kundër një ish-ekipi. Një ndjesi e re në jetën e yllit argjentinas. Dhe nuk do të jetë një rikthim dosido. Do të jetë kundër ekipit, ku ka kaluar periudhën më të vështirë të karrierës së tij, ku ka pasur raportin më të dobët gola/ndeshje (32 gola në 75 ndeshje), asnjë gol për çdo dy ndeshje, diçka e pazakontë në karrierën e tij.

Leo (as familja e tij) nuk u ndjenë të lumtur në Paris, ku nuk u përshtatën kurrë. “Ishin dy vite që nuk i kam shijuar, – pranoi së fundi 8 herë fituesi i “Topit të Artë”, – nuk kam qenë i lumtur në përditshmëri. Nuk ishin të mirë për mua. Nuk ndihesha i kënaqur asnjë ditë, as me stërvitjet, as me ndeshjet. E kisha shumë të vështirë të përshtatesha.

Që në fillim, pritja ishte shumë e bukur. Sidoqoftë, më pas, njerëzit nisën të më trajtonin ndryshe, një pjesë e tifozëve të Parisit. Ndodhi ndarja me një pjesë të madhe të publikut, sigurisht nuk ishte qëllimi im asnjëherë. Ashtu ndodhi, siç kishte ndodhur më parë edhe me Mbappé dhe Neymar. E di që kjo është mënyra e tyre e të vepruarit”.

Ishin dy sezone (2021-2022 dhe 2022-2023), që për koincidencë përputhen me periudhën më të mirë të tij në nivel kombëtareje. Me Argjentinën, ndërsa ishte lojtar i PSG-së, u bë kampion i Amerikës (vera e vitit 2021). Me PSG-në arriti vetëm tre trofe (dy kampionate të Lihue 1 dhe një Superkupë Franceze). Pak, sepse në arenën ndërkombëtare PSG dështoi dy herë në 1/8 finale të Champions League (kundër Real Madridit dhe Bayern Munich).

Në maj 2023 ndodhi episodi më i errët. PSG humbi në shtëpi kundër Lorient dhe Leo, në një udhëtim që e kishte planifikuar prej kohësh dhe e kishte shtyrë disa herë, shkoi në Arabinë Saudite për një angazhim publicitar. PSG e pa mungesën e tij dhe e konsideroi shkelje disipline, duke e ndëshkuar financiarisht dhe pezulluar nga stërvitjet…, megjithëse ndryshimi i stërvitjes ishte bërë (pothuajse) kur Leo ishte tashmë në avion.

Los números en ambos equipos.

Në prapaskenë ishte çështja e rinovimit të kontratës së Messit, e cila skadonte një muaj më vonë. Presidenti nga Katari (përmes Luis Campos) donte që argjentinasi të rinovonte edhe dy vite të tjera menjëherë, por Leo (përmes babait të tij, Jorge) kishte kërkuar të dinte më shumë detaje për projektin e ri 2023-2024. Messi nuk kishte besim.

Pas asaj ndarjeje dhe refuzimi, erdhi edhe ndëshkimi, diçka e paprecedentë, sepse Messi nuk kishte munguar kurrë pa leje në një stërvitje të skuadrës së tij. Gjithsesi, edhe në atë rast, Leo kërkoi ndjesë me një video në rrjetet sociale. Ishte episodi më i trishtuar i dy viteve të trishtueshme.

Kësisoji, mes pakënaqësisë sportive dhe gjendjes së përgjithshme të keqe, përfundoi aventura e tij, një jetë pariziene që dukej premtuese (me një ekip të madh me Neymar, Sergio Ramos, Mbappé…), por që ultrasit e prishën me fishkëllima në prezantime dhe gjeste të tjera të pakëndshme. Duke qenë kështu, më e mira ishte ta përfundonte ashtu si përfundoi, me Leon që nuk rinovoi.

Tani, Messi dhe familja e tij janë të lumtur në Miami. Marrëdhënia mes tyre, e cila do të vijojë këtë të diel në 1/8 finale të Botërorit të Klubeve, ka vazhduar. Të martën e kaluar, kur Leo mbushi 38 vjeç, erdhi urimi i PSG-së: “Gëzuar ditëlindjen Leo! Shihemi të dielën”.

Klubi parizien, gjithashtu, bëri një gjest të bukur përmes presidentit të tij. Nasser Al Khelaïfi tha së fundmi, pas fitores në Champions me Luis Enrique: “Jam shumë krenar për skuadrën, por gjithashtu dua të falenderoj sinqerisht të gjithë lojtarët që morën pjesë që nga fillimi… Javier Pastore ishte pjesë e projektit tonë, ish-kapiteni ynë Thiago Silva, Zlatan, Cavani, Thiago Motta…

Të gjithë ata, sinqerisht, Di María, të gjithë. Dua të them diçka me të vërtetë të rëndësishme; madje edhe Neymar, Messi, Kylian…, faleminderit për atë që bëtë për klubin, nuk do ta harrojmë kurrë. Ishin pjesë e suksesit. Ishte me të vërtetë e rëndësishme të kishim atë të kaluar për të arritur deri këtu”.

The post PSG, “plaga” e hapur për Messin. Gati përballja e përzier me ish-ekipin e tij appeared first on Telesport.