“PSG, klub i çmendur. Bleu Neymar për 222 milionë, tri javë më pas mori edhe Mbappé për 180…”

Julian Draxler u transferua te PSG në merkaton e dimrit të vitit 2016. Ishte 23 vjeç, vinte nga Wolfsburgu dhe klubi parizien pagoi rreth 40 milionë euro, plus bonuse. Për të hapej një etapë e re dhe premtuese. Pas 5 vitesh te parizienët, më 1 shtator 2022 u huazua një sezon te Benfica dhe më pas, në vitin 2023, u shit tek Al-Ahli i Katarit, ku luan ende sot. Në intervistë për “Le Parisien”, gjermani kujton periudhën e tij me dritë-hije te PSG:

“E dua Parisin, gjithmonë më ka pëlqyer, edhe pse rashë pre e një tentative grabitjeje, që ndodhi pak para se të transferohesha në Katar. I thashë gruas sime: Mendoj se duhet të shkojmë në Katar. Ishte ai detaj i vogël shtesë që më bindi të largohesha. Nuk ishte gjithmonë e lehtë të ecja në Paris me djalin tim të vogël, shpesh detyrohesha të fshihesha me kapele. Nuk jam Neymar, por kur luan te PSG, është mjaft e vështirë të kesh një jetë normale. Në Katar është e kundërta, mund të lëviz pa i ndier njerëzit që ndjekin çdo hap timin. Në aspektin njerëzor, ndjehem vërtet mirë”.

Për periudhën te PSG, ai veçon veçanërisht fillimin: “Gjashtë muajt e parë ishin ndoshta më të mirët e jetës sime. Ishin të mrekullueshëm. Më pas u komplikua me ardhjen e Neymar dhe Mbappé. Këto dy blerje ndryshuan shumë gjëra për mua. Ishte një kënaqësi të luaja me ta. Kur erdhi Neymar…, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në jetën time, ishte e pabesueshme. Dhe për këtë arsye qëndrova sa më gjatë që munda. Doja të shihja nivelin, se si do të zhvillohej Kylian. Të jesh në fushë me lojtarë të tillë është kënaqësi e vërtetë, ëndrra e çdo futbollisti”.

Gjermani ka vetëm fjalë lavdie për klubin parizien: “Më pëlqente shumë ai klub. PSG është paksa klub i çmendur, si unë. Kur mendon që firmosën me Neymar për 222 milionë euro dhe vetëm tri javë më vonë me Mbappé për 180 milionë… Në atë klub gjithmonë ka diçka të re, te PSG nuk mërzitesh kurrë”.

 

 

 

The post “PSG, klub i çmendur. Bleu Neymar për 222 milionë, tri javë më pas mori edhe Mbappé për 180…” appeared first on Telesport.