PSG fiton Superkupën e Europës falë “ruletës ruse”, shokohen londinezët

PSG fiton Superkupën e Europës, pasi mposhti Tottenham nga pika e bardhë e penalltive. Koha e rregullt u mbyll në shifrat 2-2 dhe fituesi u vendos nga 11-metrat, aty ku parizienët u treguan më të saktë duke fituar 4-3.

Londinezët e nisën ndeshjen shumë më mirë se parizienët dhe dukej sikur kishin një dëshirë më të madhe për të fituar. Ishte Micky van de Ven që shënoi golin e avantazhit për Tottenham, në minutën e 39-të, pas një aksioni të gjatë të finalizuar me sukses. Qendërmbrojtësi holandez gjendej në kohën dhe në vendin e duhur, duke dërguar topin në portën e mbrojtur nga Lucas Chevalier, pasi tentativa e parë e londinezëve u ndal nga traversa. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-1.

Pjesa e dytë nisi direkt me gol dhe ishin sërish londinezët që gjetën rrjetën. Pas një krosimi të Pape Matar Sarr, Cristian Romero godet me kokë dhe Lucas Chevalier nuk tregohet fare vigjilent dhe pëson një gol, që ishte shumë i mundshëm për ta shmangur.

Në minutat në vijim, të dy ekipet patën shanset dhe mundësitë e tyre, por do të ishin parizienët që do të ngushtonin shifrat në minutën e 85-të. Kang-in Lee shënoi një gol të bukur me një goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të marrë nga Vitinha.

Në minutën e katërt shtesë nga gjashtë të tilla, PSG barazon shifrat 2-2. Një krosim i bukur i Dembele brenda zonës, aty ishte Goncalo Ramos që shënoi me kokë duke dërguar topin në portën e londinezëve për herë të dytë në pak minuta.

Dy ekipet i drejtohen “ruletës ruse”, aty ku lojtarët e PSG-së u treguan më të sakte dhe duke fituar kështu trofeun e Superkupës së Europës për herë të parë në histori.

The post PSG fiton Superkupën e Europës falë “ruletës ruse”, shokohen londinezët appeared first on Telesport.