Lojtarët e Paris Saint-Germain hynë në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Interit në një mënyrë të paprecedentë që ngriti shumë pikëpyetje.
PSG ishte skuadra që nisi lojën nga qendra, por menjëherë pas kësaj, lojtarët parisien vendosën t’ia jepnin topin Interit në mënyrë të qëllimshme. Dembele thjesht e preku topin në lojë, ndërsa Vitinha e nxori jashtë në gjysmëfushën e kundërshtarit – dhe asnjë nga bashkëlojtarët nuk ndodhej aty.
Ky veprim ngjalli kureshtje të madhe mes tifozëve dhe analistëve: Pse PSG do ta niste një finale duke ia dhuruar topin kundërshtarit?
Në fakt, vendimi kishte një prapaskenë strategjike nga stafi i trajnerëve të Luis Enriques. Presioni i lartë është një nga armët kryesore të PSG-së, dhe stafi teknik vlerësoi se duke ia dhënë topin Interit që në nisje, kishin më shumë gjasa të përfitonin nga një gabim në ndërtimin e aksionit – pasi një top i kapur në zonën e kundërshtarit mund të shndërrohej në një rast më të rrezikshëm sesa një sulm kundër një mbrojtjeje të vendosur mirë.
Edhe pse kjo lëvizje nuk solli rezultat të menjëhershëm, fundi i ndeshjes tregoi efektivitetin e planit: PSG e mposhti Interin me rezultatin e thellë 5-0 dhe fitoi titullin historik të kampionit të Evropës.