Col MEHMETI
Kurdo që dikush nga VV-ja thotë plot pafytyrësi “PDK-në e ka në grusht Sami Lushtaku…”, nënteksti është ky: “As nuk mundemi e as nuk dimë ta manipulojmë PDK-në”.
Kurdo që ndonjë sarhosh i regjimit albinkurtist shprehet me termat më fyes kundër gjithçkaje në Tiranë, kundër gjysmës tonë andej Drinit, nënteksti i tij është njësoj: “Nuk mund t’i manipulojmë ata…”.
Ekziston një besim qesharak i partisë që qeveris posi një regjim fodull se e ka të drejtën t’i rrasë hundët në zgjedhjen e kryetarëve të partive shemra.
Me ato pak koqe mend që kanë, njerëzit e regjimit besojnë qesharakisht se largimi i një kryetari apo ardhja e një të riu në partitë rivale duhet të diktohet nga ekzigjencat e VV-së.
Gjithmonë është një pritje, si ajo e një pijaneci midis rruge, se ndryshimet në partitë e tjera do të sekretojnë skizma, dasi, përçarje, fesate e luftë të brendshme.
Po, pse kjo etje për kobe?
Sepse në katet e poshtme nënndërgjegjësore të secilit VV-ist rri zgjuar si demon një traumë në kufijtë e makthit.
Ajo i torturon aq fort sa mbiprodhon pasiguri të përhershme.
Duke qenë e çivitosur dhe e gjakosur nga lufta e brendshme e llojit, që edhe robtë e shpisë i hasmoi mes vete, njerëzit e VV-së halucionojnë se lufta të tilla ka kudo.
Frika do të bëhej e padurueshme nëse ajo nuk do të peshëlehtësohej duke e projektuar behanën tënde tek tjetri.
Edhe VV-ja po këtë e bën.
Herën e fundit kur zgjodhi një kryetar e një strukturë të re, kjo çetë gati sa nuk përfundoi me vrasje, eliminime e sulme terroriste.
Në natën e 22 marsit të 2017-s, kriminelë partie të cilët i nxiste vetë Albin Kurti, të maskuar e të armatosur me revole e lloza hekuri, deshën t’ia bënin gjëmën Dardan Molliqajt, sekretarit dorëhekurt të VV-së, të vetmit që i tuteshin.
Maskat mënt sa nuk e vranë aktivistin e urtë e të vyer, A.K, trupin e të cilit e troshitën me goditje shufrash.
Kjo ishte ‘demokracia’ e partisë që sot sundon si regjim e që inxhinieron rezultae zgjedhjesh me falsifikime, manipulime e turli marifeti.
Largimi i një kryetari dhe emërimi i një të riu, të paktën për ritualistikën procedurale të një partie, është gjëja më e lehtë që kërkon vetëm një vullnet të çiltër njerëzish.
Atë që do të mund ta bënte fare lehtë e me dafinat e paqes, VV-ja e bëri duke i përsëdytur ca sekuenca historike të huamarrura nga Mao, i cili në të gjallë të vet i nxiste fshatarët kinezë të suleshin mbi kundërshtarët e partisë.
VV-ja e la sakate e dorace veten meqë për hir të një kryetari të ri (nëse mund të quhet Albini kryetar i ri!) e shkatërroi gjithë fibrën e vet organizative.
Kjo parti digjet nga dëshira e saj morbide që edhe PDK-ja të përmutet në kinezllëqe të tilla.
Prandaj, gogolët me Sami Lushtakë e dokrra të tjera hini nuk duhet të gjejnë blerës tek elektorati i PDK-së, e hiç se hiç në ngrehën e saj drejtuese.
Sepse PDK-ja nuk duhet ta dyshojë veten e as t’i rrënojë kolonadat e saj vetëm e vetëm pse dushmanët e saj përhapin fesate e gverre.
PDK-ja e kishte besimin si llaç lidhës që i bënte njerëzit e saj të bashkoheshin e të përvijonin vizione.
VV-ja as nuk kishte e as nuk ka besim.
Si regjim sundues, ajo ka vetëm para, resurse të zaptuara të shtetit dhe hile.
Së brendshmi, VV-ja është si një tavolinë biliardoje me njerëz të renditur si topa për të goditur njëri-tjetrin.
Vetë Kurti kështu e ideoi organizatën e tij, duke e nxitur secilin kundër secilit, sepse secilin e disiplinon përmjet shantazhit nga tjetri.
PDK-ja mund t’i ketë dy, tri ose disa pole qendërikëse, e mbase kjo edhe ia rëndon supet dhe e kalamend ecjen e saj.
Por, sidoqoftë, ka diçka të bukur.
Tekembramja, edhe kur dikush flet qesim dhe e gjuan tjetrin e ky tjetri ia kthen kokërr për kokërr, në PDK kurrë nuk ndodh ai maskarallak, siç do të donin njerëzit qepazë, që të rrihen e të vriten mes vete.
Në VV, në atë strukturën e lëskëruar partiake, për një fjalë goje fluturojnë koka, leçitën njerëz dhe i hanë kryet shoqi-shojt, pavarësisht se këto nuk i shohim e pavarësisht se gënjehemi nga pamja e një shtëpie që jashtë duket e qetë.
Kjo është pakashumë si rrëfimi i lashtë sa bota që diversja e dukshme nuk është dobësi, por është fuqia që del nga shkartisja e të ndryshmeve.
Lashtësia na e ruajti një Athinë që prima facie gëlonte nga konflikte, nga përplasje e fesate, thjesht diskutime që dukej se nuk mbaronin kurrë.
Lashtësia na ruajti edhe një Spartë për të cilën nuk dimë nëse pati ndonjëherë debate a përçarje, por vetëm pamjen e saj të jashtme si organizim i disiplinuar.
Derisa Athina laramane e përshkoi botën me trashëgiminë e saj, Sparta, pos imazhit të tij disiplinor, nuk la asgjë si model për botën.
Bota në vitet ‘70 shihte një ShBA me përçarje, protesta e tension dhe një Bashkim Sovjetik që nuk kishte as përçarje, as protesta e as konflikt – së paku, jo në dukje.
ShBA-ja, e cila i kishte të mbiekspozuara rropullitë e veta, doli e fituar, kurse Bashkimi Sovjetik, që së jashtmi dukej si shoqëri e paqortueshme utopike, u mbyt nën rrënojat e totalitarizmes.
Publiku ka rastin t’ia njohë PDK-së të gjithë rropullitë, kurse VV-së t’ia njohë më së shumti logon e saj me shkronja kapitale dhe asgjë më shumë se kaq.
Njëra është demokraci, tjetra një shtallë të çmendurish të cilit do t’i hanë kryet shoqi-shojt.
Qesh mirë ai që qesh i fundit!










