Cristian Totti, djali i legjendës së Romës, Francesco Totti, dhe prezantueses së njohur Ilary Blasi, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli në moshën vetëm 19-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vetë ai në një telefonatë për gazetën “La Nuova Sardegna”: “Po, kam vendosur të tërhiqem”.
Vendimi i papritur vjen pas një karriere që kishte nisur me pritshmëri të larta, por që përfundoi në anonimat, në nivelet e ulëta të futbollit italian, si Serie D.
Eksperienca e fundit e Cristian ishte tek Olbia, ku u aktivizua vetëm 6 ndeshje, duke grumbulluar 156 minuta lojë. Më parë kishte kaluar nga akademia e Romës, ekipi Primavera i Frosinones, si dhe një periudhë të shkurtër në Spanjë me Rayo Vallecano, ku më shumë u përfol për një debat me nënën në rrugë sesa për paraqitjet në fushë.
Problemi kryesor nuk ishin aftësitë e tij teknike. Ish-trajneri i tij tek Olbia, ish-portieri kampion bote Marco Amelia, deklaroi: “Të qenurit djali i Tottit ka ndikuar shumë në vlerësime. Për mua, ai kishte të gjitha mundësitë për një karrierë të mirë në Serie C ose Serie B”.
Pritshmëritë e tepërta, krahasimet e vazhdueshme me të atin dhe presioni mediatik kanë bërë që mbiemri “Totti” të kthehej nga një bekim në një barrë të rëndë për Cristian, i cili ka zgjedhur të largohet nga futbolli i luajtur dhe të gjejë një tjetër rrugë në jetë.
Në mes ishte edhe një rast në rrjetet sociale. Pas debutimit në Kupën e Italisë, një video e shpërndarë online nxiti fyerje dhe “body shaming” falas. E akuzonin se ishte jashtë forme. Në të vërtetë, fiziku i tij ishte ai i një futbollisti normal të Serie D. Sidoqoftë me atë mbiemër, çdo detaj bëhet shënjestër.
Tani, Totti Jr e lë fushën, por qëndron në botën e futbollit. Ai do të punojë në “Totti Soccer School”, themeluar nga i ati dhe e drejtuar nga xhaxhai, Riccardo, si vëzhgues i talenteve të rinj. Një rrugë e re, larg presionit të krahasimeve.
“Nuk mund të them asgjë, por konfirmoj se po tërhiqem. Nuk do të luaj më futboll”, – ka thënë ai. Sepse ndonjëherë, një mbiemër që duhet të hapë dyer, përfundon duke i mbyllur ato.
The post Pse u tërhoq nga futbolli djali i Tottit, në moshën 19-vjeçare? Trajneri: Mbiemri i rëndoi shumë… appeared first on Telesport.