Pse tifozët e Real Madridt po “luten” për shitjen e Vinicius Junior? Me ikjen e brazilianit, do bëhen të paktën 3 super përforcime

Situata mes brazilianit Vinicius Junior dhe Real Madridit është tensionuar sërish, palët nuk po merren vesh për rinovimin e kontratës. Në njërën anë, Vinicius nuk kërkon më 20 milionë euro në sezon, por 30 milionë euro në sezon, përveç bonuseve të tjera. Në anën tjetër, drejtuesit e Real Madridit janë të vendosur për të rinovuar me brazilianin, duke ofruar jo më shumë se 20 milionë euro në sezon.

Duke parë që situata mes tyre është e nderë, nga Arabia Saudite janë gjithë sy e vesh dhe janë të gatshëm të bëjnë një transferim historik. Edhe pse nuk i është bërë asnjë ofertë zyrtare klubit të bardhë apo lojtarit për momentin, përflitet për një ofertë prej 350 milionë eurosh për Real Madridin dhe një kontratë për brazilianin prej 100 milionë eurosh, të shtrirë në 5 sezone, përveç bonuseve të ndryshme.

Shumica e tifozëve të Real Madridit, të lodhur nga tekat e brazilianit, janë pro shitjes së tij, duke ditur qe me shifrën 350 milionë euro, mund të bëjnë përforcimet e kërkuara nga Xabi Alonso.

Së pari do transferohej Ibrahima Konate, për të cilin Real Madrid nuk do priste verën e ardhshme për ta transferuar falas, por do e merrte që këtë verë për 50 milionë euro, shifër e kërkuar nga Liverpool për të lënë të lirë francezin. Së dyti, Real Madrid do të kishte mundësinë të transferonte një mesfushor të klasit botëror, pse jo Vitinha, apo edhe emra të tjerë që preferohen nga Xabi Alonso, si Rodri, Enzo Fernandez apo Alexis Mac Allister.

Dhe  së fundmi në sulm, drejtuesit e “Los Blancos” do të kërkonin një sulmues që jo vetëm shënon gola, por edhe përshtatet mirë me Kylian Mbappe. Gjithsesi, që të bëhen realitet këto dëshira, duhet të largohet Vinicius Junior. Edhe pse braziliani ka përsëritur dëshirën e tij për të qëndruar në klub për shumë vite, rinovimi i tij nuk është finalizuar ende dhe atmosfera po fillon të bëhet e pasigurt. E ardhmja e tij do të varet nëse të dyja palëtdo të gjejnë gjuhën e përbashkët, por momentalisht kjo duket shumë larg.

The post Pse tifozët e Real Madridt po “luten” për shitjen e Vinicius Junior? Me ikjen e brazilianit, do bëhen të paktën 3 super përforcime appeared first on Telesport.