Kur Presidenti rus Vladimir Putin udhëton për në Alaska javën e ardhshme për t’u takuar me Presidentin Donald Trump, ai do të jetë në gjendje ta bëjë këtë me besim se nuk do të arrestohet.
Kjo sepse, ndërsa Putini është subjekt i një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJND) e lëshuar në vitin 2023, as Rusia dhe as SHBA-ja nuk janë nënshkruese të Statutit të Romës, i cili krijoi gjykatën në vitin 2002, raporton BBC.
GJND-ja akuzoi udhëheqësin rus se “ishte përgjegjës për krimin e luftës të deportimit të paligjshëm të (fëmijëve)” nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Rusi. Kremlini i etiketoi veprimet e gjykatës si “të shëmtuara dhe të papranueshme”.
Putini ka qenë i kujdesshëm me itineraret e tij të udhëtimit që kur u lëshua urdhër-arresti. Në vitin 2023, ai refuzoi një ftesë për një samit në Afrikën e Jugut. Por, një vit më vonë, ai arriti në Kinë dhe Korenë e Veriut, asnjëra prej të cilave nuk është nënshkruese në gjykatë.
GJND-ja mbështetet te anëtarët për të arrestuar dhe ekstraduar të dyshuarit në Hagë, ku ndodhet selia e saj.
Në vitin 2023, Putin udhëtoi në Mongoli, e cila është nënshkruese. Mongolia pohoi se sipas Nenit 98 të Statutit të Romës, një shtet nuk mund të “veprojë në kundërshtim me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar në lidhje me imunitetin diplomatik të një personi”.
Si kreu i shtetit të Rusisë, mongolët argumentuan se Putin gëzon imunitet absolut nga procedurat e GJPN-së, përveç nëse Rusia heq dorë prej tij.
Gjykata e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se një nen tjetër heq të gjitha imunitetet. Një panel gjyqtarësh tha se shtetet anëtare “janë të detyruara të arrestojnë dhe dorëzojnë individët që i nënshtrohen urdhër-arresteve të GJPN-së, pavarësisht nga pozicioni zyrtar ose kombësia”.
Jo vetëm që SHBA-të nuk kanë qenë kurrë nënshkruese të Statutit të Romës, por në shkurt Trump urdhëroi sanksione kundër gjykatës pasi ajo lëshoi një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant./Reporteri.net/