Pse për Vetëvendosjen Projektligji për Dialog është i papranueshëm
Më 2 shkurt të këtij muaji, Kuvendi i Kosovës votoi me 61 vota pro në lexim të parë, Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, respektivisht, Projektligjin për Dialog.
Menjëherë pasi u votua, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, paralajmëroi se këtë Projektligj do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Haxhiu në Intervistën e Javës në Koha.net, tha se ky Projektligj, përveç që është i papranueshëm në aspektin politik, është i tillë edhe në aspektin juridik, madje, është në kundërthënie të madhe me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo ka treguar procedurën se si dhe kur do ta dërgojnë në Kushtetuese.
“Në qoftë se i njëjti Projektligj, kalon edhe në shqyrtim të dytë, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe sipas Kushtetutës, dhjetë deputetë e kanë të drejtën e kontestimit të një Projektligji qoftë në aspektin procedural apo përmbajtësor. Dhe, pas shqyrtimit të dytë në Kuvend, është një afat 8 ditor kur ne gëzojmë këtë të drejtë ta dërgojmë në Kushtetuese”, tha Haxhiu për Koha.net.
Por, Haxhiu thotë se nuk kanë shumë shpresa në Kushtetuesen, duke u bazuar në të kaluarën që kanë pasur.
“Kur ka presione ndërkombëtare apo edhe vendore, Gjykata Kushtetuese merr vendime jo kushtetuese. Ky institucion, është mbyllur komplet për opinionin publik”, tha ajo.
Por, Kushtetuesja, nuk është forma e fundit ku Vetëvendosja do të drejtohet për këtë çështje.
“Jemi duke diskutuar për organizime të reja, për protesta e demonstrata” ka thënë deputetja Haxhiu.
Kujtojmë se kur u votua për Projektligjin për Dialog, nga 91 deputetë që ishin në sallë, 30 prej tyre nuk votuan fare.