Ndjeka dhe gjykimi i korrupsionit në Kosovë, vazhdon të jetë sfidë. Por, një pyetje që shtohet në çdo tryezë diskutimi, është ajo se pse kalueshmëria e aktakuzave të rastet e korrupsionit është shumë e ulët?
Arian Gashi, prokuror dhe anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka thënë se kalueshmëria e aktakuzave të korrupsionit nëpër gjykata është sfida kryesore.
“Sepse nëse e krahasojmë këtë përqindje të lëndëve tjera në përgjithësi, siç e ceka më lartë, në nivel të Kosovës del se kemi diku rreth 90% të kalueshmërisë dhe kjo ndoshta është edhe më e larta në rajon, nëse e shikojmë me vende tjera. Pra, mbi 90% e lëndëve kalojnë nëpër gjykatat e Kosovës, ndërsa te lëndët e korrupsionit vetëm përjashtuar këtë vit, kemi një përqindjen që nuk arriti as 50% të kalojë. Ashtu siç të gjithë e dimë, standardet për zhvillimin e hetimeve në ngritjen e aktakuzave në përgjithësi janë të përcaktuara me dispozitat pra që janë në fuqi, të Kodit të Procedurës Penale, këto dispozita kanë paraparë standarde të njëjta për të gjithë veprat penale sa i përket hetimit dhe ngritjes së aktakuzave dhe nuk ka asnjë dallim për lëndët e korrupsionit”, ka thënë ai.
Gashi ka shtruar pyetje se si është e mundur që të njëjtit prokurorë po arrijnë që të gjitha rastet tjera t’i kalojnë aktakuzat mbi shkallën 90%, ndërsa te lëndët e korrupsionit po ngecin nën 50.
Zef Prenderecaj, prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka thënë se secili që është në Njësitin e Korrupsionit ngrit aktakuza të kualitetit të mirë- të cilat duhet potencialisht të kalojë në gjykatë.
“Por kjo nuk varet prej nesh. Ne i mbledhim provat, mbledhim fakte, mbledhim të gjitha. I vendosim në aktakuzë dhe i dorëzojmë në gjykatë. Në kohët e fundit konsideroj se aktakuzat tona po kalojnë në gjykatë dhe gjykata ka nxjerrë vendime, ka nxjerrë vendime dënuese. Kështu që konsideroj se jo në të gjitha rastet kalojnë, por këtu duhet të kemi një profilizim nga ana e prokurorëve, do të kemi- duhet të ketë profilizim nga ana dhe e gjyqtarëve, duhet të kemi trajnime të përbashkëta në mënyrë që jo secili prokuror jo secili gjyqtar i cili heton këto raste e ka të lehtë sepse këto janë raste komplekse të cilët kërkojnë një trajtim të veçantë”, ka thënë ai.
Sipas tij, hetimi i këtyre rasteve merr shumë kohë, pasi kërkon mbledhje të provave.
“Kërkojnë mbledhje të dokumenteve, kërkojnë ekspertiza, kërkojnë ekspertiza financiare, kërkojnë ekspertiza të prokurimit publik, ndoshta edhe analiza në raste të caktuara, në mënyrë që të saktësohen elementet ose veprimet e kundërligjshme të personave të cilët janë të akuzuar”, ka thënë Prendrecaj.
Në anën tjetër, Gazmend Bahtiri, gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka thënë se kjo vepër penale është sfiduese për ta, pasi jo rrallëherë aktakuzat e ngritura nga Prokuroria nuk kalojnë.
“Këtu mendoj që tek këto aktakuza, prokuroria- nuk du me i analshkalu ato që ka shumë aktakuza të cilat nga brendësia e saj shihen që janë tërësisht administrative dhe shumë prokurorë realisht nuk janë duke arritë me i kuptu elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sepse te vepra penale shihet përshkrimi i gjendjes faktike, shihet që është tërësisht administrative që çojnë tek një shkelje administrative apo procedura disiplinore dhe ka shumë aktakuza që unë personalisht kam hudhë disa aktkazua në kundërshtimin e provave dhe aktgjykime liruese. Me këto aktakuza, Gjykata është duke u sfiduar në vazhdimësi sa i përket elementeve të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Aktakuza shihet që ka disa shkelje administrative, ka edhe një dëm që është shkaktu, mirëpo në asnjë mënyrë nuk arrin me provu dhe faktu që ka një lidhje kauzale në mes të pandehurit dhe palës së dëmtuar, ka thënë ai.
Gashi në anën tjetër, ka thënë se sikur në këto lëndë të korrupsionit të mos kishte prova fajësuese, pse po kalojnë fazën e kontrollit të akuzës.
“Dhe nuk po kthehen në plotësim të aktakuzës nga Gjykata në Prokurori në një fazë të hershme apo gjatë fazës së kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës, ku një përqindje absolutisht e madhe vendimet e Gjykatave Themelore për refuzim të kërkesës së të pandehurve për hedhjen e aktakuzave dhe kundërshtimin e provave po konfirmohen edhe nga Gjykata e Apelit”, ka thënë ai.
“Si ka mundësi që qeta prokurorë po arrijnë me i identifiku elementet e krejt veprave tjera penale, po te aktakuza s’po arrijnë m’i identifiku është fjala te rastet e korrupsionit, pse s’po mundemi veç qetu me identifiku, në krejt tjerat po. Unë kam ngrit mbi 2 mijë aktakuza, prokurori ngrit aktakuzë nuk nxjerr aktgjykim, është punë e gjykatës. Provat, u thanë pak më parë që nuk po sigurohen sepse shumica po dalin që janë hetime administrative. Keni parasysh, unë kam pranuar edhe prokuror në Prokurorinë e Apelit 3 vite atje, shumica e lëndëve që vinë, hedhjet e kallëzimeve penale dhe pushim i hetimeve nga Prokuroritë Themelore. Këtu i kemi dy kolegë nga niveli themelor në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë pikërisht lëndët mbi 80% të rasteve që kam trajtuar, janë lëndë të korrupsionit, sepse aty ku ka dilema se është hetim administrativ apo është çështje tjetër që nuk hyn në domenin penal, ne i ndalim në një fazë më të hershme, sepse shumica e këtyre lëndëve në Departamentin e Krimeve të Rënda i hedhim poshtë dhe pushohen hetimet, që hudhen kallëzimet penale, janë pikërisht pra lëndë që lidhen me natyrën e lëndëve të korrupsionit”, ka shtuar Gashi.
Prokurori Prendercaj, ka thënë se gjyqtarët të cilët konsiderojnë se aktakuza nuk përmban ato prova ose fakte që të kalojnë gjykatë, natyrisht që e kanë mundësinë që t’i kthejnë në plotësim.
“Por, momentin që nuk i kthejnë dhe aktakuza kalon në dy shkallshmëri brenda gjykatës, atëherë nuk ka asnjë arsye që të thuhet që aktakuza nuk është e hartuar mirë ose nuk ka faktet dhe prova të cilat duhet t’i kishte. Kështu që gjykimi është diçka tjetër, fazë tjetër dhe në gjykim natyrisht se kur shkojmë në gjykim ne ballafaqohemi me ato fakte, me ato prova, barra e të provuarit sigurisht që i bjen prokurorit të shtetit dhe si prokuror i shtetit po mundohemi që të jemi transparent, llogaridhënës dhe vendimet, aktakuzat tona, por edhe vendimet të janë të ligjshme dhe në përputhshmëri të plotë me ligjin”, ka thënë ai.
Gjykatësi Bahtiri, ka thënë se dashja si qëllim kriminal këtu nuk është duke u kuptuar nga prokurorët.
“Nga një pjesë e prokurorëve sepse nuk po arrin me e kurorëzu atë lidhjen kauzale, si qëllim kriminal. Ekzistojnë shkeljet administrative, nga përmbajta e aktakuzës shihet që tërësisht ka shkelje administrative që na shpie te një shkleje disiplinore dhe unë personalisht kam pasur jo pak aktakuza të tilla që i kemi hudh edhe në fazën e kundërshtimit të provave po edhe në shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë ai. /BetimipërDrejtësi










