Mesazh konkret dhe bojkot politik për Kosovën e Serbinë, po konsiderohet mosardhja Përfaqësues së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas në Kosovë dhe Serbi, gjatë turit të saj të vizitave në rajon. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analistë politikë thonë se mesazhet e BE-së me këtë përjashtim, duhet të merren seriozisht nga liderët kosovarë.
Vizitën e parë në Ballkanin Perëndimor si shefe e re e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas do ta nisë të hënën në Mal të Zi.
Pas shtetit fqinj i cili ka bërë më së shumti përparim në integrimin evropian, Kaja Kallas do të vazhdojë vizitën në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë.
Por, ndonëse nuk do të jetë shumë larg Kosovës, në agjendën e saj të vizitave nuk është edhe Kosova e Serbia.
Këtë veprim të diplomates Kallasit, që është edhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropia, profesori universitar Abit Hoxha e vlerëson si bojkot dhe mesazh ndaj liderëve kosovarë
“Mund të jetë edhe për shkak të agjendës politike, por sipas të gjitha gjasave është edhe njëfar shenje e BE-së, e cila dëshironë të përqojë një mesazh që mund të përkthehet si njëfar bojkoti politik, derisa këto vende të lëvizin dicka përpara…”, ka deklaruar Abit Hoxha – Profesor universitar.
Edhe për analistin nga Shqipëria, Ben Andoni, ky është një mesazh konkret nga BE-ja.
“Është një mesazh dhe ju e dini që strukturat e Bashkimit Evropian në këtë rast Komisioni Evropian, që është një nga strukturat kryesore të Brukselit, jep mesazhe nëpërmjet protokollit të vizitës dhe në momentin që në agjendet e vizitës përjashtohen vendet, menjanohen vendet atëherë ka mesazhe konkrete për këto vende. Ju e e dini që një nga detyrat konkrete të znj. Kallas dhe të derguarit të BE-së, për rajonin dhe dialogun Kosovë Serbi është fillimi i dialogut në një mënyrë të re dhe në deklaratat e fundit znj, Kallas ka thënë se jemi të përgatitur.”, ka deklaruar Andoni.
Në anën tjetër, profesori Hoxha përmend arsyet që mund të kenë ndikuar në mosardhjen e Kallasit në Kosovë e Serbi.
“Për Kosovën njëra prej arsyeve që mund të jetë është edhe fakti që Kosova është nën saksione politike nga BE-ja. Kosova është me ato masat, ato janë sanksione që reflektojnë në agjendat politike prej zyrtarëve të lartë të BE-së, ndërsa për Serbinë është në disa agjenda tjera politike, me demostrata e presione të brendshme e që nuk ka shumë interes në BE”, ka theksuar Hoxha.
Para disa ditësh, Kallas vlerësoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur, derisa ka bërë të ditur se mund të shqyrtohen instrumente të tjera për të arritur normalizimin e marrëdhënieve.
Diplomatja estoneze ka marrë postin e kryediplomates së BE-së edhe me premtimin se do të punojë për të përshpejtuar anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian.