Pse duhet ta votojmë opozitën, dhe pse unë e votoj Bedri Hamzën

Në shoqëri stabile dhe normale, fundin e dhjetorit qytetarët e përdorin për me i bo disa llogari personale. Me kqyr çka kanë bo keq në vitin që po shkon, e çka e kanë ndermend me bo mirë në vitin që po vjen. Dikush vendos me bo dietë, dikush me lon duhanin, dikush me kry fakultetin, e dikush me fillu gym-in. Fatkeqësisht, ndoshta, dikush edhe me e lshu Kosovën.

Në këto 25 vjet liri, kjo osht hera e parë që klasa politike ka vendosë që qytetarët me u ngarku me dështimet e veta dhe me planet që ata i kanë për vitin e ardhshëm. Sot, në vend që me folë për festat, po folim për bllokadën.

Kosova po kalon nëpër një turbulencë të randë politike që prej shkurtit të këtij viti, kur votuesit ia dhanë Vetevendosjes 42 përqind, por ksaj nuk i mjaftoi kjo mbështetje që me i ulë tensionet e me u sjellë si një parti fituese, që do me thanë me u sjellë me maturi dhe pa drama, jo për hatër të partive, por për hatër të qytetarëve.

Kurtin dhe LVV-në nuk po i lëshon adrenalina e fitores së vitit 2021, edhe pse as ajo fitore, qysh thojshin vetë, nuk i pati mjaftu me i bo reformat që po dojnë me i bo. Pra, nëse e lexoni me kujdes, Albin Kurti nuk po don me bo reforma, po don me ia ndërru identitetin Republikës së Kosovës. Kurti po don që këto zgjedhje me kanë zgjedhjet e fundit ku vota juaj ka peshë të vërtetë.

Zgjedhjet kanë rendësi sa kohë ka institucione të pavarura, sepse kur shemben ato, atëherë zgjedhjet janë veç maskaradë, qashtu qysh janë në Rusi, Bjellorusi, Serbi. Këto janë zgjedhje që vendosin a ka me mbet Kosova edhe në të ardhmen republikë parlamentare, apo a ka me u ba Kosova çështje private e një njeriu.

Kur individi ose pushteti i shkatërron pengesat institucionale që e mbajnë atë nën kontroll, llogaridhënia ndaj popullit çdo katër vjet bëhet veç humor i zi. Kjo është tragjike.

Unë në parim besoj se partia që i fiton zgjedhjet duhet me pasë të drejtën me provu me e bo qeverinë dhe me e bo qeverinë. Ama kjo s’do me thënë që fituesi me e pas bllanko, me pas çek të bardhë. Demokracia nuk osht “ti fitove, tash ti je pronari jonë, merri çelësat e shtetit”. Demokracia është “ti fitove, tash je i detyruar me u përballë me realitetin”, me institucionet, me ligjin, me opozitën, me kompromisin.

Albin Kurti e ka kuptu ndryshe. Ai po mendon që edhe kur t’fiton, prapë na duhet me i dhanë atij llogari. Keso të drejtash nuk kanë as monarkët prej Revolucionit Borgjez Francez e këndej.

Në momentin kur një parti sillet sikur shteti është pronë e saj, sikur të tjerët janë vetëm dekor, atëherë ajo parti duhet me u ndalë, me çdo kusht. Kur pushteti fillon me folë me gjuhën “ose unë, ose armiku”, aty fillon problemi. Në politikë s’ka profet as të pagabueshëm. Ka politikanë. Politikani i mirë është ai që e kupton se në demokraci duhet me marrë vesh, sepse ka edhe njerëz tjerë që dinë diçka që ti nuk e din, dhe që kanë çka me i dhanë vendit.

Në këto zgjedhje është joreale me pritë që një parti tjetër me dalë në vend të parë, mirëpo nuk është joreale me pritë që tri forcat kryesore opozitare me pasë vota të mjaftueshme, sa me e detyru Kurtin me u sjellë si person i moshës madhore. Opozitës duhet me i mundësu me i pasë numrat komod për krijimin e qeverisë, edhe pa Vetevendosjen. Jo për hakmarrje ndaj fituesit, po për me ia dhanë një mësim të domosdoshëm, që demokracia nuk osht monolog, është negociatë, është kompromis, dhe që shteti s’funksionon me ultimatume.

Në këto pesë vjet Kosova ka pësu rënie të madhe në raportet ndërkombëtare që e matin lirinë dhe demokracinë. Në emër të “çlirimit” të veriut, Kosova ka pagu çmim të naltë në raport me aleatët, kurse gjendja politike në veri është kthy prapë atje ku ka qenë. Katër komunat e veriut qeverisen prej Listës Serbe.

Pse unë personalisht e votoj Bedri Hamzën në këto zgjedhje. Sepse një vend që ka nevojë me u kthy në normalitet institucional ka nevojë për një profil që e kupton shtetin si menaxhim, jo si shfaqje. Një vend i tillë ka nevojë për dikë që nuk i shantazhon punëtorët me bllokim të pagave. Dikë që nuk bon drama, por bon punë. Dikë që e din çka osht buxheti dhe administrata, e jo dikë që tri ditë para zgjedhjeve e përdor buxhetin për me ble vota.

Unë në këto zgjedhje nuk po lypi as hero, as showman, e as machoman. Po lypi funksionim dhe zhbllokim. Qeveri që formohet. Marrëveshje që bëhen. Ligje që kalojnë. Raporte normale me aleatët. Kam dhe keni nevojë për një kulturë ku pushteti nuk ia qetë kamën në qafë opozitës, por e respekton si pjesë të rendit kushtetues. Sipas meje Bedri Hamza i plotëson këto kritere ma mirë se sa të tjerët në këto zgjedhje. Ai e ka dëshmu një gjë të tillë, kudo ku ka qenë, edhe si ministër i financave, edhe si guvernator, edhe si kryetar i Mitrovicës.

Arroganca duhet me u ndalë. E për me u ndalë, duhet me i dhanë opozitës mundësi reale me i pasë numrat, sepse ky fakt e detyron edhe pushtetin me u bo parti normale. Ky vend ka edhe njerëz të tjerë. Ka edhe mendje të tjera. Ka edhe zgjidhje të tjera.

Demokracitë nuk vdesin kur ka shumë parti. Demokracitë vdesin kur mbetet veç një parti, kur njerëzit lodhen, kur dorëzohen, kur fillojnë me besu se “s’ka alternativë”. Në atë moment, ti s’je ma qytetar, je veç publik.

Profesori Adam Przeworski thotë, demokracia nuk osht kurrgjo tjetër përveç një sistemi ku partitë në pushtet i humbin zgjedhjet. Kur një parti sillet sikur s’guxon me humbë kurrë, kur kërkon bllanko, kur kërkon vetëm veten, kur kompromisin e quan tradhti, atëherë demokracia shuhet pa zhurmë.

Kjo votë s’osht për me e bo dikë “mbret”. Është për me e ndalë idenë që dikush është i pazëvendësueshëm. Në filmin Thirteen Days, Kenny O’Donnell i thotë gruas, “If the sun comes up tomorrow, it is only because of men of good will.” Edhe nesër, nëse dielli lind për Kosovën, nuk lind prej fatit. Lind prej njerëzve që shkojnë me votu, me e mbrojtë një rregull të thjeshtë, edhe fituesi mundet me humbë. Prandaj, opozitës duhet me ia dhanë numrat, jo për inat, po për demokraci. Se demokracia s’ka nevojë për një parti që rrin përjetë. Demokracia ka nevojë që pushteti me pas frikë prej qytetarit, e qytetari me mos pas frikë prej pushtetit.