Pse dhe si po bllokon SHBA-ja portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bllokuar trafikun detar nga portet iraniane. Forcat amerikane kanë njoftuar se do të bllokojnë dhe kthejnë mbrapshtë anijet që vijnë nga bregdeti i Iranit.

Washingtoni ka bërë të ditur se anijet që vijnë nga shtetet tjera do të lejohen të kalojnë në Ngushticën e Hormuzit që është rrugë e rëndësishme detare, të cilën Teherani e kishte mbyllur si kundërpërgjigje për sulmet e SHBA-së dhe të Izraelit, shkruan BBC.

SHBA-ja do të mbështetet krejtësisht në flotën e saj të anijeve për të kontrolluar portet iraniane dhe ka bllokuar aftësinë e Teheranit për të përfituar nga eksporti i naftës, në përpjekje për t’i bërë presion shtetit.

Ky bllokim i porteve vjen pak ditë pasi dy palët dështuan të arrinin marrëveshje për fundin e luftës që nisi më 28 shkurt.

Presidenti amerikan Donald Trump shpreson se do t’i bëjë presion Iranit duke ia bllokuar dy faktorë ekonomikë – shumën e madhe të parave që kërkonte nga anijet për të kaluar në Ngushticë dhe të hyrat e veta nga shitja e naftës.

Trump ka thënë për Fox News se “nuk do të lejojmë Iranin që të fitojë para duke shitur naftë për njerëzit që i do dhe jo atyre që nuk i do”, duke shtuar se qëllimi është që “o të lejojë të gjitha o asnjë”.

Këtë veprim të SHBA-së Irani e ka quajtur si “pirateri”, duke kërcënuar se do të hakmerrej duke sulmuar portet e shteteve të Gjirit.

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit ka nxitur ngritjen e madhe të çmimit të naftës dhe një luftë më e gjerë mes SHBA-së dhe Iranit, do të kishte ndikim të madh në vendet si Dubai, Bahrain, Kuvajti dhe Arabia Saudite.

Vendndodhja e anijeve amerikane nuk dihet publikisht. Kjo e bën të vështirë të dihet se në cilin vend SHBA-ja është duke i ndalur anijet nga portet.

Sidoqoftë, ushtria amerikane nuk ka vendosur luftanijet afër Iranit shkaku i rrezikut nga raketat dhe dronët iranianë.

SHBA-ja bllokadën e ka bërë përreth Gjirit të Omanit, rrugë transite për pjesën më të madhe të naftës.

Ushtria amerikane me shumë gjasë do të përdorë satelitët për të monitoruar se cilat anije largohen nga portet iraniane dhe i presin të lundrojnë në Oqeanin Indian. Këtu i kthejnë mbrapshtë.

SHBA-ja ka bërë të ditur se për bllokadë është duke përdorur 12 luftanije dhe 100 aeroplanë luftarakë.