Pse Albin Kurti nuk e mbajti premtimin për shtesat e fëmijëve prej 50, 100 dhe 150 € në muaj për familjet me të ardhura të ulëta?

 

‘’Nga 50 për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 7 mijë euro, nga 100 për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 6 mijë euro dhe nga 150 për fëmijë nëse familja ka të ardhura vjetore më pak se 5 mijë eurot’’.

Kështu kishte premtuar Albin Kurti, para katër viteve, por ky premtim ka mbetur vetëm në letër, por nuk është realizuar në tërësi.

Fëmijet që kishin për të marrë 50, 100 ose 150 euro në muaj varësisht nga të hyrat vjetore të familjes së tij, ata kanë marr vetëm nga 20 euro në muaj.

Qeveria e Kosovës, në korrik të vitit 2024, kishte publikuar skemën e re të shtesave për fëmijët.

Nga kjo shtesë, një fëmijë do të paguhej nga 20 euro në muaj, dy fëmijë brenda një familje do të paguheshin nga Qeveria me 40 euro në muaj, tre fëmijë do të paguheshin nga 90 euro në muaj, katër fëmijë të një familje do të paguheshin nga 120 euro në muaj dhe pesë fëmijë brenda një familje do të paguheshin nga 150 euro në muaj apo 30 euro për secilin fëmijë brenda familjes, që nënkupton se pesë fëmijë do të paguheshin me shumën prej 150 euro në muaj, shumë e njëjtë që do të paguhej vetëm një fëmijë nëse familja e tij do të kishte të ardhura vjetore më pak se 5 mijë euro, poqese do të mbahej premtimi i dhënë para 4-viteve nga kryeministri Albin Kurti.

E mos realizimi i këtij premtimi, nga opozita kosovare po shihet dështim dhe mashtrim i radhës, sikurse premtimet tjera të pa realizuara nga Qeveria Kurti.

Ish-ministri Skënder Reçica pasi Kurti dështoj në premtimin për fëmijët: Koha për të zgjedhur udhëheqës që veprojnë,  jo vetëm që premtojnë

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Albin Kurti për dështimin në realizimin e premtimit për mbështetje të familjeve me fëmijë, bazuar në të ardhurat vjetore.

Ai e cilëson këtë dështim si të papranueshëm dhe ngre shqetësime serioze për besueshmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë ndaj nevojave jetike të qytetarëve.

‘’Është e papranueshme që premtimi i Kryeministrit Kurti për mbështetjen e familjeve me fëmijë, bazuar në të ardhurat vjetore, të neglizhohet dhe të mos realizohet brenda këtij mandati katërvjeçar të qeverisë. Ky dështim ngre pikëpyetje serioze për besueshmërinë dhe përkushtimin e qeverisë në largim ndaj nevojave jetike të qytetarëve’’ thotë ai

Reçica theksoi se, në vend të veprimeve konkrete për realizimin e këtij premtimi, qytetarët kanë parë vetëm justifikime dhe përparësi për çështje që nuk reflektojnë urgjencën e problemeve sociale.

‘’Në vend që të ndërmerren hapa konkretë për përmbushjen e këtij premtimi, kemi parë vetëm justifikime dhe përparësi për çështje që nuk reflektojnë urgjencën e vërtetë të problemeve sociale’’ thotë ai.

Ai shtoi se ky dështim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për qytetarët, duke i ftuar ata të mendojnë mirë në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

‘’Ky dështim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për çdo qytetar që do të dalë për të votuar më 9 shkurt’’ shtoi Reçica.

Ish-ministri Reçica, shpreh pikëpyetje nëse duhet besuar një qeverie të tillë.

“Pyetja është e thjeshtë: A do të vazhdojmë t’i besojmë një udhëheqjeje që nuk përmbush angazhimet e saj, veçanërisht ato që ndikojnë drejtpërdrejt tek familjet më të cenueshme ekonomikisht?”, u shpreh ai.

 

Rashit Qalaj: Premtimet e Kurtit për shtesat për fëmijët janë mashtrim, Qeveria në ikje ka dështuar

Kandidati për deputet nga PDK, Rashit Qalaj, ka folur për qeverisjen e kryeministrit Albin Kurtit të cilën e ka quajtur si Qeveri në ikje, lidhur me premtimet për shtesat për fëmijët dhe menaxhimin e vendit gjatë mandatit të tij.

Sipas Qalajt, qeveria e Kurtit ka dështuar në realizimin e premtimeve dhe nuk ka realizuar as punët elementare për zhvillimin e vendit.

“Tërë kohën sa ka qeverisë kryeministri në ikje, ne kemi jetuar më keq. Jo vetëm që premtimet nuk janë realizuar, por nuk i ka kryer as punët elementare për të udhëhequr vendin dhe për ta zhvilluar atë,”tha Qalaj, duke shtuar se qeveria e Kurtit ka pasur fokus vetëm në fajësimin e opozitës, mediave, prokurorisë dhe institucioneve të tjera.

Ai theksoi se fajtori kryesor për këtë gjendje është vetë Albin Kurti dhe e cilësoi largimin e tij nga posti i kryeministrit si një “emergjencë të madhe” për të mirën e Kosovës.

“Qeveria e Kurtit është e pafuqishme të udhëheqë vendin, dhe largimi i tij është shumë emergjent për të nxjerrë vendin nga ky kaos,” përfundoi Qalaj.

 

Bajrush Ymeri: Premtimet e Kurtit ishin populiste dhe nuk u realizuan, qytetarët do i ndëshkojnë me 9 shkurt

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Bajrush Ymeri, për FrontOnline, ka kritikuar premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti lidhur me shtesat për fëmijët, duke i cilësuar ato si premtime populiste që nuk janë realizuar.

Ai tha se Kurti katër vjet më parë kishte dhënë premtime edhe më të mëdha për qytetarët, të cilat, sipas tij, nuk janë përmbushur.

“Kurti para katër vjetëve ka dhënë premtime edhe më të mëdha se këto që po jep tani. Ne i kemi parë si premtime populliste dhe mjerisht një masë e madhe e qytetarëve iu besuan atyre, pasi ndoshta kanë qenë në një situatë që duhej të besonin,” tha Ymeri.

Ai e theksoi se shumica e premtimeve të Kurtit nuk janë realizuar, dhe tani, sipas tij, VV po akuzon LDK-në për përmendjen e këtyre premtimeve të pa mbajtura.

“Shumicën e premtimeve as nuk i kanë realizuar tani po na akuzojnë neve se ato premtime po jua përmendim dhe nuk ju vjen as marre as turp dhe me u ndje pak në faj para këtyre qytetarëve që nuk i kanë realizuar ato premtime se kanë qenë program i tyre. Po na akuzojnë se po i përmendim premtimet që ata nuk i kanë mbajtur, dhe nuk ju vjen as turp. Ata nuk e ndjejnë asnjë përgjegjësi për qytetarët që besuan në këto premtime,” shtoi Ymeri.

Kandidati nga LDK përmendi gjithashtu mungesën e projekteve kapitale dhe e cilësoi si zhgënjim faktin që buxheti nuk ka sjellë ndryshime të prekshme për qytetarët.

“Kanë thënë që buxheti s’ka qenë asnjëherë më i lartë dhe mos me u duk asnjë projekt i madh kapital kjo dhe këto premtime për familjet e fëmijët këto do duhej të ishin zhgënjim i madh për qytetarët dhe duhet ta ndëshkojnë më 9 shkurt’’ përfundoi Ymeri.

 

Artan Nimani: Premtimet e Kurtit për shtesat për fëmijët janë spekulime dhe mashtrim, ai edhe në këto zgjedhje po tenton të blejë vota

Kandidati për deputet nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Artan Nimani, ka folur për premtimet e kryeministrit Albin Kurti, për shtesat për fëmijët, duke i quajtur ato spekulime  për përfitim të votave.

“Premtimet e Kurtit para katër vjetëve janë parë si spekulime të pastra, me qëllim që të përfitohet nga votat e qytetarëve. Pavarësisht premtimeve të mëdha, gjendja e ekonomisë së familjeve tona dhe e vendit është përkeqësuar,” tha Nimani.

Ai gjithashtu e konsideroi si një përpjekje për të mashtuar qytetarët rritjen e mundshme të shtesave për fëmijët, duke thënë se mbështetja prej 10-20 eurosh nuk do të ketë ndikim të vërtetë.

“Tendencat e Kurtit që të mashtrojë prap duke tentuar që do ti subvencionoj nga 10-20 euro do të sjellin një bumerang sepse qytetarët e vendit nuk mashtrohen më me 10 euro mbështetje që marrin nga Qeveria për fëmijët se ky ka premtuar ndryshe e ka dalë ndryshe’’ theksoi Nimani.

Nimani përfundoi duke thënë se, në këto zgjedhje, Kurti po tenton sërish të blejë vota me premtime që nuk mund të realizohen, duke e quajtur këtë një mashtrim për qytetarët.

‘’Edhe në këto zgjedhje po tenton të blejë vota’’, deklaroi Nimani.

Arton Muhaxheri: Dështimi i Kurtit për shtesat e fëmijëve është një tregues i paaftësisë së Qeverisë

Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit lidhur me mosrealizimin e premtimit për ndihmën financiare për fëmijët dhe familjet me të ardhura të ulëta, duke e cilësuar këtë si një dështim skandaloz që tregon paaftësinë e qeverisë për të udhëhequr me përgjegjësi dhe për të mbajtur premtimet ndaj qytetarëve.

“Ky është një dështim skandaloz dhe tregues i qartë i paaftësisë totale të qeverisë Kurti për të udhëhequr me përgjegjësi dhe për të mbajtur premtimet ndaj qytetarëve. Premtimi për ndihmë financiare për fëmijët e familjeve me të ardhura të ulëta ishte një masë bazike dhe jetike, por ai nuk u realizua për shkak të mungesës së një plani të qartë, papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë për të menaxhuar ekonominë e vendit” tha Muhaxheri.

Ai  deklaroi se ndihma financiare për fëmijët ishte një masë bazike dhe jetike, por dështimi në realizimin e saj është për shkak të mungesës së një plani të qartë dhe papërgjegjshmërisë.

‘’Kjo qeveri ka treguar se nuk i kupton prioritetet e qytetarëve dhe nuk ka as kapacitetin më të vogël për të bërë analiza të qëndrueshme financiare. Premtimet ishin propagandë elektorale për të mashtruar qytetarët, pa asnjë bazë reale për t’i zbatuar. Kur një premtim kaq elementar dështon, çfarë mund të presim nga qeveria për sfidat më të mëdha ekonomike dhe sociale që ka vendi’’deklaroi ai.

Ai e quajti këtë si dështim politik të Qeverisë Kurti

“Kjo nuk është vetëm një dështim politik, por edhe një goditje e rëndë për familjet që kishin shpresuar tek ky premtim,” përfundoi Muhaxheri.