Protestojnë 6 redaktorë të RTK-së, Menaxhmenti: Nesër dalim me qëndrim

6 redaktorë të RTK-së po protestojnë në rrjetet sociale me pretendimet se qëllimisht janë larguar nga ekrani. Sipas tyre, vendimi për largimin nga moderimi i emisioneve ka qëllim “heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik”. Në mbështetje të redaktorëve kanë dalë AGK e AVONET. Ndërkohë, ud. drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, ka bërë me dije se RTK do të dalë me një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Redaktorët e RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi e Valon Bajrami, përmes rrjeteve sociale kanë reaguar për, siç thonë ata, “përjashtimin nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00”.

Ata kanë thënë se do t’i ndjekin rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional. Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën ‘Lajmet e fundit’, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional”, kanë deklaruar ata.

Ndërkohë, ud. drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, ka bërë me dije se nesër do të mbahet mbledhja e menaxhmentit të RTK-së dhe pas mbledhjes, RTK do të dalë me një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Në mbrojtje të redaktorëve të lartcekur kanë reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe organizata AVONET. AGK thotë se e ka pranuar me shqetësim njoftimin e 6 gazetarëve të RTK-së për largimin e tyre nga ekrani dhe emisionet që i drejtonin ata në Televizionin Publik.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Menaxhmentin që ta rishikojë dhe tërheqë këtë vendim, dhe t’ua mundësojë gazetarëve dhe redaktorëve të bëjnë punën e tyre në interes të publikut, pa ndikimin e vazhdueshëm politik”, thuhet mes tjerash.

Ndërsa AVONET ka thënë se qëndron në solidaritet me redaktorët dhe i inkurajon ata të vazhdojnë përpjekjet ligjore dhe profesionale për të mbrojtur lirinë e medias.

The post Protestojnë 6 redaktorë të RTK-së, Menaxhmenti: Nesër dalim me qëndrim appeared first on Kosovapost.net.