Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Prokshi ka protestuar në heshtje të enjten para Kuvendit, pak para nisjes së seancës së 48 konstituive.
Sot, në “Ora Shtatë” të Klan Kosova, Prokshi dha më shumë detaje pse zgjodhi ditën e djeshme të dilte dhe të protestonte, transmeton Klankosova.tv.
“Protestën e kam filluar vet, për shkak se nëse kishte me qenë një grup më i madh, këta po thonë se po organizon X partia. S’kam bërë bisedë më kurrkënd, por me kë kam biseduar kanë dashur të bashkohen, por dje kam dashur vet në heshtje”, u shpreh Prokshi.
Ai shpreh shpresën që të formohet një qeveri e mirëfilltë, pasi të konstituohet Kuvendi i Kosovës.
Derisa ai flet edhe për qeverinë në detyrë, transmeton Klankosova.tv.
“Kemi 20 mijë gra e burra të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. S’është bërë gjë për këtë kategori. Kjo qeveri që ke deri tani, kjo për vlerat e luftës nuk ka bërë kurrgjë”, u shpreh Prokshi.
Po ashtu, ish-luftëtari i UÇK-së thotë se e ndjejnë të obligueshme të dalin e të ngrisin zjarrin si gjeneratë më e vjetër, pasi sipas tij, ata nuk ua mundësuan kushtet e duhura rinisë.
Tutje, Prokshi tha se ndjehet krenar me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës.
Derisa për Gjykatën Speciale në Hagë, ai tha se ish-krerët e UÇK-së e bashkëluftëtarët e tij po mbahen padrejtësisht atje.