Protestë më 25 maj, Basha: Jemi në kushtet e një grushti shteti

25 maji është caktuar si data për protestën e madhe kombëtare nga opozita. Vendimi u mor pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së PD demokratike, ku Basha takoi krerët e partive aleate.

Në një dalje për mediat, kryedemokrati Basha tha se jemi në kushtet e një grushti shteti, duke shtuar se Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin.

“Sot gazeta gjermane ‘Bild’ ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes tronditëse të Shqipërisë narko-shtet, por ka zbuluar që në dosjen 184 figuron vet Edi Rama duke komunikuar më zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar se skenari i vjedhjeve të votave është zbatuar sipas urdhrave të tij. Parlamenti është produkt i votës së diktuar nga krimi. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve që ka futur”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se Rama ka futur sërish kriminel në lista, ndërsa thotë se nga sot do të ketë një përballje pa kthim të popullit me ushtarët e juntës në pushtet.

Na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori. Do të pranohet që grushti i shtetit të çohet deri në fund dhe të instalohet tirania e krimit, apo do të ketë një përballje popullore?! Vendimi unanim i opozitës është përballja popullore me të gjitha mënyrat. Nga ky moment ne do të jemi të bashkuar në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës në pushtet. Asgjë s’mund të kursehet në këtë betejë”, tha Basha në fjalën e tij.

“A ka dramë më të madhe se sa mediat t’i drejtohen vrasësit Abedin Oruçi, vrasësit Ymer Lala si biznesmen”, tha Basha gjatë prononcimit për media.