Një gjyq për thuajse 200 persona të arrestuar pse protestuan kundër qeverisë turke nisi në Stamboll.
Demonstratat masive filluan më 19 mars pasi kryebashkiaku i qytetit më të madh të vendit, Ekrem Imamoglu, një rival i rëndësishëm i presidentit Erdogan, u arrestua nën akuzën e korrupsionit.
Shumica e 189 të pandehurve në këtë proces, që nisi të premten, janë studentë, ndërsa 8 janë gazetarë.
Akuzat ndaj tyre përfshijnë pjesëmarrje në protesta të paligjshme dhe mosbindje të urdhrave të policisë për t’u shpërndarë.
Bëhet fjalë për gjyqin e parë të personave të arrestuar gjatë tubimeve. Zyra e prokurorit të Stambollit ka deklaruar se 189 të pandehurit do të gjykohen në 20 hetime penale.
Dënimet ndaj akuzave variojnë nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, sipas organizatës Human Rights Watch.
Para nisjes së seancës, shoqata Rrjeti i Prindërve të Studentëve deklaroi se të rinjtë nuk po bënin asgjë të paligjshme, përveçse po protestonin që vendi i tyre të jetë i lirë dhe demokratik.
Pavarësisht se qeveria rajonale e Stambollit shpalli një ndalim të demonstratave dhe grumbullimeve, disa qindra mijëra persona morën pjesë në protesta.
Që prej 19 marsit, policia ka ndaluar rreth 2 mijë persona, shumica e të cilëve studentë universitarë.