Protesta në Tiranë ka gjetur mbështetje të gjerë mbarëkombëtare, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet të premten në Tiranë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 17:00, ka gjetur mbështetje të gjerë në të gjitha trojet shqiptare.
Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është përkrahur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti – i cili edhe ka pezulluar të gjitha aktivitetet elektorale në ditën e mbylljes së fushatës për zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut vetëm e vetëm për të marrë pjesë në protestë.
Përveç përkrahjes publike, kryeministri Rama edhe do të jetë pjesë e protestës, madje pritet që të mbajë edhe një fjalim. Këtë e konfirmoi kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Në Kosovë, protesta është mbështetur nga Presidentja Vjosa Osmani, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe organizata të shoqërisë civile.
Nga ana tjetër nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë kreun e saj, Albin Kurti, nuk kanë dhënë asnjë deklaratë për protestën. Madje, mbështetje nuk ka dhënë as deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi, gruaja e Rexhep Selimit, njërit nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale.
Mbështetje për protestën kanë dhënë edhe grupe të ndryshme qytetare, përfshirë tifo-grupet “Dardanët” dhe tifozët “kuq e zi”, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive. Edhe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve ka deklaruar mbështetje për protestën.
Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve në protestë do të jetë i madh. “Vetëm nga Kosova, deri më sot, i kemi mbi 60 autobusë që janë konfirmu nga shoqatat tona – e invalidëve, dëshmorëve dhe veteranëve”, ka thënë Gucati.
Protestuesve pritet që t’u drejtohen me fjalime Gucati, ish-Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe një familjar i një dëshmori të Shqipërisë në luftën e Kosovës, derisa për Ramën ende nuk është e konfirmuar.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Rama nxjerr vendim, ua siguron transportin veteranëve të UÇK-së për në protestën në Tiranë