Protesta e radhës kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet nesër në Shkup, në ora 13:00.
Edhe kjo protestë ka mobilizuar shqiptaret e Kosovës, Maqedonisë dhe trevave tjera shqiptare.
Një ditë para protestës shumë politikan kanë ftuar shqiptarët që të marrin pjesë në këtë protestë.
Një thirrje të tillë e ka bërë edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Albi Ahmeti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nesër Shkupi do t`i bashkojë të gjithë shqiptarët.
“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka vlerësuar se emir i UÇK-së do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.
“Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë. Liria ka emër, UÇK. Dhe ky emër mbetet pjesë e identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar. Ju ftoj të gjithëve që nesër të jemi bashkë”, ka shkruar Ahmeti.
Thirrje të njëjtë ka bërë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ai ka ftuar qytetarët që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë protestë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Rama ka shkruar se kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull.
“Pas Prishtinës 🇽🇰 dhe Tiranës 🇦🇱 , edhe Shkupi ngre zërin për drejtësi. Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që nesër protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare. 🇦🇱 Si kryetar i kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të jem gjithmonë krah bashkëkombësve të mi. Forca jonë si popull qëndron te uniteti, respekti dhe mirënjohja. Shkupi, Prishtina është me ju”, ka shkruar ai.
Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare!”, ka shkruar Haradinaj.
Kurse, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se për këtë çështje ka biseduar në telefon me ish-presidentin Thaçi.
“Gjithmonë emocionuese me bisedu me Presidentin Thaçi. Në bisedën telefonike që pata sot me të, e njoftova se nesër zëri i shqiptarëve do të dëgjohet fuqishëm në Shkup, sepse kur kërkohet drejtësi, nuk ka kufij. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët, për ata që i dhanë liri këtij vendi dhe dinjitet këtij populli”, ka shkruar Tahiri.
Ndërsa, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për protestën e nesërme kundër Gjykatën Speciale, e cila do të mbahet në Shkup.
Ai ka bërë me dije se për këtë protestë janë bërë të gjitha përgatitjet.
Në një prononcim për Front Online, ai ka thënë se në këtë protestë pritet të marrin pjesë rreth 20 mijë qytetarë.
“Interesimi është shumë i madh nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh protestuesish, rreth 20.000 nga të dy shtetet, megjithëse interesi më i madh vjen nga Kosova”, ka thënë Gucati.











